Presidenti i Francës, Emanuel Macron ka prezantuar sot për të rinjtë francez një ”kontratë angazhimi” që përfshin personat e moshës 16 deri në 26 vjeç që janë pa punë apo trajnim për disa muaj.
Kjo kontratë, sipas njoftimit të presidentit francez do të hyjë në fuqi më 1 mars të vitit 2022.
“Të rinjtë që i plotësojnë këto kritere do të përfitojnë kompensim mujor prej 500 eurosh, në këmbim të trajnimeve. Të rinjtë do të mund të regjistrohen në programe speciale për të pasur 15 deri në 20 orë trajnim në javë për të zbuluar një profesion, për t’u trajnuar dhe për të gjetur një punë”, ka shkruar presidenti francez Macron në postimin e tij.
Ndërkaq, sipas gazetës franceze “Le Figaro”, qeveria Macron po promovon kontratën për të rinjtë në një kohë kur vendi është në periudhën parazgjedhore.
