Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal ka konfirmuar themelimin e një Grupi Punues për hartimin e një koncept-dokumenti për zgjedhjet lokale, por ka mohuar ndërlidhjen e punimeve me reformën zgjedhore, shkruan Paparaci.
Në një përgjigje me shkrim për Paparacin, MAPL-ja ka thënë se themelimi i Grupit Punues parasheh punën rreth hartimit të një koncept-dokumenti për zgjedhjet lokale të mbajtura në fund të vitit të kaluar.
Megjithatë në përgjigjen e MAPL-së për mediumin e kanë mohuar ndërlidhjen e punimeve me reformën zgjedhore, derisa kanë thënë se qëllimi i hartimit të këtij koncept-dokumenti për zgjedhjet lokale është që t’i shqyrtojë rekomandimet e vlerësimit të Ex-Post të ligjit për zgjedhje lokale dhe dispozitave aktuale që ka ky ligj.
“Qëllimi i hartimit të këtij koncept-dokumenti për zgjedhjet lokale është që t’i shqyrtojë rekomandimet e vlerësimit Ex-Post të ligjit për zgjedhje lokale dhe dispozitave aktuale të ligjit për zgjedhje lokale”.
Nga MAPL kanë thënë se ky Grup Punues është themeluar me 22 shkurt të këtij viti si proces i rregullt pune.
E deri më tani Grupi Punues për hartimin e një koncept-dokumenti për zgjedhjet lokale ka mbajtur vetëm një takim.
“Grupi punues për hartimin e këtij koncept-dokumenti është formuar me 22 shkurt 2022 si proces i rregullt pune. Ky grup punues deri më tash ka pas një takim pune”.
Nga plani legjislativ i MAPL-së për vitin 2022 është larguar nga agjenda legjislative plotësim-ndryshimi i ligjit për zgjedhjet lokale me qëllim se ligji për zgjedhjet lokale do të jetë pjesë e procesit të reformës zgjedhore në vend.
Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka thënë se është në dijeni për themelimin e një grupi punues, në një deklarim përmes telefonit të hënën. Ai i ka thënë Paparacit se do të japë sqarime më të detajuara në një përgjigje me shkrim për mediumin.
Ligji për Zgjedhjet Lokale në Kosovë ka vetëm disa nene, pasi që shumë nga dispozitat e ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme vlejnë edhe për këtë ligj, sipas frazës së njohur “mutatis mutandis”.
Ligji aktual për Zgjedhjet Lokale është i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2008 dhe që nga ajo kohë nuk ka pësuar asnjë ndryshim.
Çështjet e hedhura shpreshherë në diskutim publik ndërlidhen me heqjen eventuale të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.
Sipas ligjit në fuqi, kryetari i komunës zgjedhet kanidati i cili fiton më shumë se 50% +1 votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë. Në disa procese zgjedhore ka ndodhur që në raundin e dytë të përmbyset rezultati i raundit të parë, edhe për shkak të marrëveshjeve politike, kryesisht mes kandidatit të dytë me të diskualifikuarit e tjerë.
Gjithashtu, një çështje tjetër për të cilën është diskutuar është ajo e bartësve të listave për kuvendet komunale. Bartësi i listës së një subjekti politik në zgjedhjet për kuvende komunale nuk votohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga votuesi, pasi që vota për subjektin llogaritet njëkohësisht edhe votë për të. /Paparaci/
Pa zhurmë, hidhen hapat e parë për reformën e ligjit për zgjedhjet lokale
