Të fundit

Sulmet e pushtetit ndaj gazetarëve më 2022

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili u publikua më 12 prill, tregon edhe njëherë se gazetarët në Kosovë hasën në vështirësi në marrjen e informacionit nga Qeveria dhe institucionet publike.

Megjithatë, Kosova ka shënuar përparim sa i përket lirisë së mediave, tregon Indeksi i Lirisë së Shtypit Botëror, i publikuar nga organizata Reporterët pa Kufij.

Përveç kësaj, këtu vihet në pah tendenca e disa prej pushtetarëve që t’i vënë në trysni media e gazetarë të caktuar. Sulmi i fundit ndaj mediave erdhi nga shefi i stafit të kryeministrit Albin Kurti.

Në një raport të publikuar nga DASh-i, thuhet se pavarësisht që në përgjithësi u respektua liria e shprehjes, sërish pati tentime për frikësim të përfaqësuesve të mediave nga politikanë apo persona publikë, shkruan Paparaci.

Një sulm ndaj mediave, së fundmi u bë edhe nga Luan Dalipi, shefi i stafit të kryeministrit Kurti.

Dalipi, nëpërmjet një shkrimi në Facebook, ka sulmuar në mënyrë të paprecedent mediat në Kosovë, duke i lidhur ato me “biznese kriminale”, dhe duke u bërë thirrje atyre që ai i ndanë në “qytetarë të dinjitetshëm”, t’i bojkotojnë ato.

Përveç kësaj thirrjeje, e cila natyrisht përbën rrezik, sidomos kur vjen nga një njeri që është në pushtet, edhe më ashpër veproi bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani.

Zotëria i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu, përmes përdorimit të një gjuhe denigruese ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë, i quajti ato “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1.200 në Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin $50 për person (drekat e darkat iu shkonin deri ne mijëra dollarë)”, shkroi Sadriu në Facebook.

Për këtë deklaratë, Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), së bashku me një grup të organizatave mediatike, shoqatave dhe sindikatave, iu drejtuan Presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, duke u bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të gjuhës diskredituese dhe denigruese në drejtim të gazetarëve, të organizuar nga zyrtarë të lidhur me Lëvizjen Vetëvendosje, Zyrën e Presidentes dhe institucione të tjera të nivelit të lartë.

Gjuhë linçuese kishte përdorur edhe zyrtari i LVV-së, Hysamedin Feraj.

Ish-kandidati i kësaj partie për deputet, ka akuzuar disa gazetarë kosovarë se “punojnë falas për Serbinë”.

“Nuk është e drejtë që Grenelli të paguhet dhe grenellistët, jo (?) Apo Kosova i ka borxh Serbisë dhe këta ia shlyejnë duke punuar falas për të!”, kishte shkruar Feraj në Facebook.

Një gjuhë e tillë, kur vjen nga zyrtari i një partie në pushtet, vë në rrezik sigurinë e gazetarëve dhe si e tillë është e papranueshme.

Shqetësuese janë edhe sulmet ndaj mediave nga zyrtarët e Zyrës së Presidencës.

Këshilltari i saj, Blerim Vela disa herë ka përdorur gjuhë denigruese duke i etiketuar mediat si “të ish-regjimit Pronto”.

Edhe gjuha e përdorur në një status të ish-zëvendësministrit të Mbrojtjes dhe anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ishte shqetësuese për mediat.

“Piskamat shterruese e dëshpëruese të disa “gazetarëve” për të krijuar me çdo kusht viktimën, përveçse të gërditshme janë edhe ofenduese. Është e pakuptueshme kur mediumi bie në gracka të tilla për të krijuar më çdo kusht “viktimën plitike” madje duke i kushtuar transmetim direkt nga Stacioni i Policisë… Krijohet përshtypja se kushedi se ç’farë krimi i madh mund të ketë ndodhur… Gazetari se jo mahi”, kishte shkruar atëkohë Dugolli, i cili aktualisht mban pozitën e deputetit të pushtetit.

Njëjtë kishte vepruar edhe kolegu i Dugollit.

Haki Abazi, nëpërmjet telefonit, kishte kërcënuar një medium, për shkak të raportimit për dështimin e procesit për emërimin e ambasadorëve të rinj të Kosovës.

Edhe dega e LVV-së në Mitrovicë kishte bërë linçime ndaj gazetarëve dhe mediave të caktuara.

Kjo degë, nëpërmjet një deklarate, kishte akuzuar se një nga mediumet e Mitrovicës është në shërbim të një partie tjetër politike.

As për këtë cenim serioz të sigurisë së gazetarëve nuk pati distancim nga Lëvizja Vetëvendosje në Qendër.

Gjuhë linçuese kishte përdorur edhe Hysen Durmishi, i cili aktualisht është zëvendës-ministër në Ministrinë e Infrastrukturës.

Këto raste që kanë ndodhur ndër vite, e vërtetojnë qartë raportin i cili u publikua nga DASh-i.

Mes tjerash, edhe ish-Avokati i Popullit, tash zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, kishte përdorur gjuhë të ulët ndaj grave.

Në vitin 2014, ai e pati quajtur “lopë” ministren e atëhershme të Drejtësisë, Dhurata Hoxha.

“Sonte ne Rubikon është duke folur lopa “transparente” quajtur ministre ne Kosove, e cila eshte pjese e klikes vrastare te kësaj qeverie fashiste vrastare!”, kishte shkruar në Facebook, Kurteshi.

Këto deklarata të Kurteshit erdhën pasi Dhurata Hoxha kishte folur rreth rastit të Astrit Dehari.

Kurteshi kishte pasur përplasje edhe me ish-kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka.

Madje, ai e kishte quajtur Dakën “koka e krimit”.

“Ka marrë fund monopoli i Valdete Dakës në KQZ, është person i padinjitetshëm me e udhëheqë institucionin e KQZ-së. PZAP-ja iu kthen apelet  qytetarëve të Kosovës, sepse nuk i kanë paraqitur brenda 24 orëve. Kurse njoftimi është bërë pas orës 19:00. Sepse ky është shtet i kapur dhe i kriminalizuar, ku pjesë përbërëse është Valdete Daka. Ky shtet i shkel të drejtat e njeriut duke ia mohuar çdo të drejtë për ankesë dhe për sqarim të terminëve dhe çështjeve të tjera”, pati thënë Kurteshi, shkurtin e vitit të kaluar.

Raporti evidenton se problemet e financimit gjithashtu dëmtuan pavarësinë e mediave, si dhe pati vështirësi në marrjen e informatave nga Qeveria dhe institucionet publike.

“Gazetarët hasën në vështirësi në marrjen e informacionit nga Qeveria dhe institucionet publike, pavarësisht nga ligjet që ofrojnë qasje në dokumente publike”, thuhet në raport.

Sipas raportit, mediat e pavarura ishin aktive dhe shprehën një shumëllojshmëri pikëpamjesh, përgjithësisht pa kufizime.

Megjithatë, disa zyrtarë qeveritarë, parti politike, biznese të lidhura me Qeverinë, grupe fetare dhe individë të pakënaqur u bënin trysni pronarëve të mediave, redaktorëve dhe gazetarëve që të mos publikonin rrëfime ose materiale të caktuara.

Ndër të tjera, numri i kërcënimeve dhe sulmeve në drejtim të gazetarëve e mediave, të raportuara në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës – AGK, ka shënuar rritje përgjatë vitit 2021.

Në 29 arriti numri i kërcënimeve ndaj gazetarëve për 12 muajt e kaluar, krahasuar me vitin paraprak, që ishte 24.

Të martën, u publikua Indeksi i Lirisë së Shtypit Botëror nga organizata Reporterët pa Kufij.

Në këtë indeks, Kosova sivjet radhitet në pozitën e 61-të, në krahasim me pozitën e 78-të, që ka mbajtur në vitin 2021. Trendi i rritjes vjen pas rënies që ka shënuar vitin e kaluar – për tetë pozita – në krahasim me renditjen e vitit 2020.

Por, edhe përkundër përparimit, Kosova vazhdon të mbetet në mesin e vendeve me “situatë problematike”, siç e vlerësojnë Reporterët pa Kufij.

Në këtë kategori radhiten edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, si: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina. Prej tyre, ngjashëm si Kosova, përparim kanë shënuar: Maqedonia e Veriut në pozitën e 57-të nga 90; Serbia në pozitën 79 nga 93 dhe Mali i Zi në pozitën 63 nga 104.

Shqipëria ka pësuar përkeqësim – nga pozita 83 ku ka qenë vitin e kaluar, në pozitën 103.

Video nga Paradoks

VV SHOW-Pushteti nuk ka problem Vita-n, por pronarin -Historia e marrëdhënieve të Kurtit me Devollët

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci