Manohla Dargis, krye-kritikja e filmit në gazetën amerikane New York Times, i ka realizuar një recension filmit kosovar “Zgjoi” të Blerta Bashollit.
Dargis, që është pesë herë finaliste e Çmimit Pulitzer për Kritikë, shprehet me vlerësime të larta për filmin e regjisores Basholli.
Recensioni i kritikes së filmit të New York Times është publikuar në prestigjozen nju-jorkeze të enjten.
“Rishikimi i ‘Zgjoi’: Pas luftës, një e mbijetuar e gjen veten”, ky është titulli i recensionit të New York Times.
Një nga kritiket më kredibile të filmit në botë, shkruan me nota superlative për performancën e Yllka Gashit, aktores kosovare që portretizon Fahrije Hotin, protagonisten kryesore të “Zgjoi”-t.
“Megjithatë, kryesisht ajo që të bën të tërbuar është performanca e fuqishme, e bazuar fizikisht e Gashit, e cila artikulon në mënyrë lirike punën e brendshme të personazhit të saj të heshtur”, shkruan Dargis, njëra nga udhëheqëset e kritikës së filmit në prestigjozen amerikane.
Sipas recensionit të kritikes amerikane të filmit, regjisorja Basholli dhe aktorja Gashi luajnë rol “nxitës” në portretizimin e fuqishëm të Fahrije Hotit dhe historisë inspiruese të saj, transmeton Paparaci.

“Së bashku, interpretuesja dhe regjisorja shpalosin harkun e një jete përmes gjesteve të Fahrijes dhe në vijat e forta të nofullës së saj, në buzët e saj pa buzëqeshje dhe në shikimin e saj të ulur shpejt. Dhe ndërsa stoicizmi i personazhit duket si një mur i pathyeshëm, këto dy gra e çmontojnë – dhe e rindërtojnë atë – me efekt nxitës”, vijon kritika e Dargis.
Filmi “Zgjoi” shpalos rrëfimin e Fahrije Hotit dhe grave nga Krusha e Madhe. Drama e jashtëzakonshme është e bazuar në ngjarje të vërteta të grave që kanë mbetur të veja për shkak të luftës, të cilat luftojnë kundër patriarkatit. Yllka Gashi luan në rolin e Fahrije Hotit.
Ky film tashmë është dhënë premierë në shumë vende të botës. Ndërsa, nga 5 nëntori, “Zgjoi” do të shfaqet edhe në kinematë amerikane. /Paparaci.com
