Zyrtarja e IPKO-s, Afrika Zyferi, ka mohuar se kryeshefi ekzekutiv i IPKO-s, Tomaz Seljak, dyshohet për përfitime të paligjshme financiare. Ajo në një përgjigje me shkrim për Papracin ka thënë se kompania e tyre refuzon pretendimet se “Telekom Slovenije” ka financuar ndonjë parti politike ose fushata të tyre.
Telekomi Slloven, e cila ka në pronësi IPKO-n në Kosovë, dyshohet se jashtëligjshëm financoi në fushatën zgjedhore të Partisë Demokratike të Sllovenisë (SDS), partia e kryeministrit Janez Jansha.
Siç raportojnë mediat sllovene, transmeton Reporteri.net për këtë disa ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të së dielës në Slloveni, Jani Möderndorfer, anëtar i komisionit hetimor parlamentar për financimin e paligjshëm të SDS-së, ka njoftuar se pas gjetjeve të komisionit hetimor parlamentar, do të paraqesë kallëzimin penal ndaj “Telekom Slovenije”, partisë së ish-kryeministrit slloven dhe një televizioni lajmesh atje NovaTv24.
Ky i fundit ka paralajmëruar kallëzim penal edhe ndaj kryeshefit ekzekutiv të IPKO-s Tomaz Seljak, përcjell Paparaci.
Mirëpo, këto akuza po mohohen nga kompania ku Seljak është kryeshef ekzekutiv. Zyrtarja e IPKO-s, Afrika Zyferi, në një përgjigje me shkrim për Paparacin ka mohuar se Seljak dyshohet për përfitime të paligjshme financiare.
Ajo ka thënë se si kompani refuzojnë çdo pretendim se kompania amë e IPKO-s në Kosovë, “Telekom Slovenije” ka financuar fushatën zgjedhore të Partisë Demokratike të Sllovenisë
“Raportet e mediave nuk janë të sakta dhe nuk është e vërtetë se z. Tomaž Seljak dyshohet për përfitime të paligjshme financiare. Ne refuzojmë fuqishëm çdo pretendim se Telekom Slovenije ka financuar ndonjëherë ndonjë parti politike ose fushata të tyre”, tha ajo për Paparacin.

Zyferi ka shtuar se komisioni hetimor parlamentar për financimin e paligjshëm të SDS-së nuk ka ngritur kallëzim penal ndaj askujt.
“Gjithashtu nga deklaratat mediatike të një politikani që ishin pjesë e fushatës parazgjedhore në Slloveni del qartë se komisioni nuk ka ngritur kallëzim penal ndaj askujt”, shtoi ajo.
Hetimi në të cilin po hetohet edhe kryeshefi ekzekutiv i IPKO-s, Tomaz Seljak, siç raportohet flet edhe për paratë nga Hungaria që dyshohen se interferuan në zgjedhjet e para katër vitesh në Slloveni, krahas parave publike të “Telekom Slovenje”, të cilat dyshohet se u keqpërdorën për financimin e Partisë Demokratike të Sllovenisë.
Tomaz Selkajk, ndaj të cilit është paralajmëruar kallëzim penal, nga nëntori i vitit të shkuar është zhvendosur me punë në Kosovë, kjo sepse ai u emërua Kryeshefi Ekzekutiv i IPKO-s.
Gjatë punës hetimore të komisionit hetimor parlamentar në Slloveni, Seljak u thirr disa herë për t’u marrë në pyetje nga anëtarët e komisionit hetimor parlamentar në Slloveni, por ai nuk iu përgjigj ftesave.
Drejtori i IPKO-s dyshohet për përfitime të paligjshme financiare
