Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, theksoi se e gjithë shoqëria duhet të jetë e vetëdijshme dhe e ndërgjegjshme për rëndësinë që mediat kanë në jetën publike.
Sipas tij, kjo ditë, mbi të gjitha është një thirrje për Qeverinë e Kosovës që të hapet dhe të rrisë transparencën dhe llogaridhënien.
Deputeti opozitar në një postim në Facebook shkroi se fyerjet, kërcënimet, linçimet e shantazhet në drejtim të mediave dhe gazetarëve, “ashtu siç, fatkeqësisht, kemi parë e dëgjuar disa herë gjatë kësaj qeverisjeje, nuk duhet të ndodhin kurrë e aq më pak nga ana e institucioneve e zyrtarëve publikë të shtetit”.
“Media e lirë dhe e pavarur duhet të mbetet ndër mekanizmat kryesorë për jetësimin e një demokracie funksionale dhe të shëndetshme”, shtoi kreu i PDK-së.
