Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, trupat e pajetë të pesë oligarkëve rusë, kryesisht të lidhur me gjigantin e naftës Gazprom, janë gjetur në vilat e tyre madhështore. Të gjitha këto raste janë deklaruar si vetëvrasje, ndërsa disa oligarkë janë akuzuar për vrasjen e familjarëve të tyre. Kremlini deri më tani nuk ka njoftuar për vdekjet misterioze të miliarderëve, por ka indikacione se hetimet e pavarura do të nisin së shpejti.
Menjëherë pas fillimit të luftës në Ukrainë, trupi i një prej drejtuesve të Gazprom, Alexander Tyulakov, u gjet në garazhin e shtëpisë së tij të pushimit.
Policia e mbylli shpejt këtë rast, duke konstatuar se ishte një vetëvrasje e dukshme.
Nga një kombinim i jashtëzakonshëm rrethanash, vetëm pak javë pasi policia Tyulakovit, policia zbuloi trupin e pajetë të Mikhael Votford-it në një vilë në Angli.

Policia e Londrës po heton vdekjen e tij, ndonëse inteligjenca ruse insiston që rasti të mbyllet, pasi sipas tyre bëhet fjalë për një vetëvrasje të dukshme.
Pas Vatford-it, në Nizhny Novgorod u zbulua trupi i pajetë i biznesmenit rus Vasily Melnikov, si dhe anëtarëve të familjes së tij.
Melnikov zotëronte MedStom, një kompani e pajisjeve mjekësore. Edhe pse policia konstatoi se Melnikov fillimisht vrau gruan dhe dy fëmijët e tij, dhe më pas kreu vetëvrasje, Komiteti Hetimor Rus shprehu dyshimin se Melnikov dhe familja e tij u goditën me thikë për vdekje.
Policia ka nxjerrë konkluzione duke u nisur nga pozicioni i trupit, por edhe nga fakti se në banesën e tyre nuk ka pasur shenja të hyrjes me forcë.
Hetuesit janë duke shqyrtuar disa versione të asaj që ka ndodhur, duke përfshirë vrasjen e fëmijëve dhe gruas nga kryefamiljari pas të cilës ka pasuar vetëvrasja”, pretendohet në raportin e policisë, transmeton Paparaci.

Mister, vrasje, intrigë
Kohë më parë në Moskë u gjet trupi i pajetë i ish-zëvendës presidentit të Gazprombank Vladislav Avayev, si dhe gruas dhe vajzës së tij.
Pak media të pavarura ruse thonë se policia po e heton rastin si vrasje e dyfishtë dhe vetëvrasje.
Julia Ivanova, përfaqësuesja e Komitetit Hetues për Moskën, thotë se një i afërm i tyre ka zbuluar trupat e familjes Avayev pasi shoferi i familjes dhe dado kanë thënë se nuk mund t’i kontaktonin me telefon ose të hynin në banesë, sepse dera ishte e mbyllur nga brenda.
Igor Volobuyev, ish-zëvendës presidenti i Gazprombank, i cili kohët e fundit u largua nga Rusia për në Ukrainë, tha se nuk beson se Avayev ka vrarë veten.

“Detyra e tij ishte të merrej me bankierizëm privat, domethënë të merrej me klientët VIP. Ai ishte në krye të shumave shumë të mëdha parash. Pra, a vrau veten? Nuk mendoj kështu. Mendoj se dinte diçka dhe ai përfaqësonte një lloj rreziku”, ka thënë Volobuyev.
Më në fund, në rrethana misterioze, vdiq Sergej Protosenja, ish-drejtor ekzekutiv i kompanisë së prodhimit të gazit Novatek, pjesërisht në pronësi të Gazprom-it, si dhe gruaja dhe vajza e tij.
Trupat e tyre të pajetë u gjetën në vilën e tyre në Lloret del Mar.
Pyetje pa përgjigje
Sipas njoftimit të policisë, në trupat e bashkëshortes dhe vajzës janë konstatuar gjurmë dhune, për çka rasti po hetohet si vrasje e dyfishtë dhe vetëvrasje.
Sidoqoftë, djali i Sergei Protosenje – Fedor, i cili jeton në Francë, vuri në dyshim këtë version të ngjarjeve. Siç tregon ai, babai i tij nuk ishte i dhunshëm dhe as i prirur për vetëvrasje.
“Ai e donte nënën time dhe veçanërisht motrën time Maria. Ajo ishte princesha e tij. Ai kurrë nuk ka bërë asgjë për t’i dëmtuar ata. Nuk e di çfarë ka ndodhur atë natë, por e di që babai im nuk i ka lënduar”, ka deklaruar Fedor Protosenya, përcjell Paparaci.
Policia katalanase ka pranuar deklaratat e Fedor Protosenyas, i cili dyshon se të gjithë anëtarët e familjes së tij janë vrarë. Duket se këto akuza nuk do të hetohen nga zyrtarët e policisë, pasi aktualisht nuk ka asnjë provë që të jetë vrarë familja Protosenya.
“Fatkeqësisht, ka pasur spekulime për këtë temë në media, por ne jemi të bindur se këto spekulime nuk kanë lidhje me realitetin. Shpresojmë që shërbimet e zbatimit të ligjit të Spanjës të kryejnë një hetim të plotë dhe objektiv dhe të sqarojnë se çfarë ka ndodhur”, pretendohet në kumtesën e kompanisë Novatek, dikur i drejtuar nga Sergei Protosenya.
Filli që lidh të gjitha këto raste janë marrëveshjet e naftës, të cilat më parë janë bërë në bashkëpunim me zyrtarët e Kremlinit. Edhe pse, me sa duket, të gjitha do të përfundojnë pa një hetim më të gjerë, heshtja e pazakontë në Moskë ngre dyshime të shumta për një sërë vetëvrasjesh. Pyetjet mbeten pse humbën jetën këta oligarkë, çfarë ndodhi me familjarët e tyre, kush qëndron pas vdekjeve misterioze dhe nëse policia do t’i zbardhë ndonjëherë këto raste./Paparaci
