Avokati i Pal Lekajt në rastin: Aktakuza është tendencioze dhe e porositur
Musa Damati, avokat mbrojtës i Pal Lekajt në rastin e 53 milionë eurove, ka thënë se aktakuza ndaj Lekajt është “e porositur” dhe “tendencioze”.
Këtë deklaratë Damati e bëri këtë të mërkurën para Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku u mbajtë seanca fillestare në rastin e “53 milionë eurove” (të ndara shtesë për “Bechtel & Enka”), ku të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri.
Para mediave, Damati tha se me këtë aktakuzë do të ballafaqohen profesionalisht dhe se do të vërtetojë siç tha, pafajësinë e klientit të tij, ish-ministrit Lekaj.
“Ky është rasti më voluminoz financiar në Kosovë. Është rast për të cilin është përfolur shumë por nuk është arritur që të vërtetohet misteri se si i kushtoi buxhetit të Kosovës në tërësi projekti i autostradës me kosto prej 700 milionë eurove”.
“Ndaj sot keni dëgjuar një aktakuzë që s’ka prova, pra është e porositur dhe tendencioze me të cilën ne do të ballafaqohemi dhe do të vërtetojmë pafajësinë e klientit tim”, u shpreh avokati.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2021 kishte ngritur aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatrit.
Më 19 shkurt, PSRK njoftoi se lidhur me këtë rast është ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.
Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 27 shtator 2017, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI) dhe si kryesues i Komitetit Ndërministror (KDNM) dhe Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri – drejtor i Prokurimit Publik në MI, i cili tani për tani është i paqasshëm për prokurorinë, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në dobi të personit tjetër.
Në aktin akuzues thuhet se të njëjtit, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik 04/ L- 042, Statutin dhe Kodin e Sjelljes së KDNM-së dhe me kushtet e kontratës së 1 korrikut 2014, kanë nënshkruar marrëveshje në emër të MI-së si punëdhënës në njërën anë dhe ndërmarrjes së përbashkët “Bechtel & Enka” si kontraktor në anën tjetër, për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve edhe për 347 ditë dhe atë nga 18 janari 2018 siç ishte e përcaktuar në kontratën bazë, deri më 31 dhjetor 2018, duke mos e përcaktuar koston financiare.
Ky veprim, sipas prokurorisë i ka lënë hapur mundësinë “Bechtel & Enka” që më 27 nëntor 2017 të paraqes pranë punëdhënësit kërkesën për pagesën e shumës shtesë në vlerë prej 63 milionë euro, në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, e cila kërkesë më pas ka zbritur në vlerën prej 53 milionë e 100 mijë euro.
Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është deklaruar i pafajshëm pas leximit të aktakuzës për fshehje të raportit të kompanisë “Hill”, që kishte arsyetuar se Qeveria do të duhej të paguante 39 milionë euro më pak se që i kërkoheshin (53 milionë), në emër të vonesave për konserciumin “Bechtel-Enka” që ka ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”.
Edhe ish-sekretari i MI-së, Nebih Shatri, ka thënë se ndihet i pafajshëm.

(FOTO) Avokati- Musa Damati
Pal Lekaj deklarohet i pafajshëm për rastin e “53 milionëshit”
Në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur seanca fillestare në rastin e “53 milionë eurove”, ku të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) si dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri.
Seanca e parë në këtë rast u mbajt më 20 prill 2022, por u shty për sot pasi që i akuzuari Pal Lekaj tha se nuk e ka lexuar aktakuzën dhe kërkoi 10 ditë kohë për përgatitje.
Ndërsa, Prokuroria Speciale, më 4 shkurt 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve për përfshirje në aferën korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e 53 milionë e 100 mijë eurove në emër të vazhdimit të punimeve në Autostradën “Arbën Xhaferi” që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit.
Rasti i “53 milionëshit”, sot pritet të mbahet seanca ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve
