Pas takimit me kancelarin Olaf Scholz në Berlin, kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se çështja e dialogut ishte temë qendrore në takimin me kancelarin Scholz dhe diplomaten gjermane, Annalena Baerbock.
Ai po ashtu tha se kanë biseduar për raportet bilaterale, por në të njëjtën kohë sipas tij, edhe për marrëdhëniet e mira ndër-fqinjësore në Ballkan.
“Në kuadër të kësaj është edhe takimi që do ta kem tash me presidentin e Serbisë të ndërmjetësuar nga zoti Lajçak dhe të organizuar nga kancelari gjerman Scholz. Unë pres që nga ky takim që kuptohet edhe më mirë se e vetmja marrëveshje pas një dialogu parimor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ajo e cila është ligjërisht e obligueshme, e me normalizimin e plotë sepse e ka në qendër njohjen reciproke”, tha Kurti.
Ai tha se një nder temat që u diskutuan me kancelarin Scholz ishte edhe çështja e dialogut me Serbinë .
“Në Evropë janë të brengosur meqenëse Serbia nuk rreshtua me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, me Shtetet e Bashkuar të Amerikës dhe nuk i vendosi sanksione Federatës Ruse”, tha Kurti duke shtuar se në Ballkan kemi shumë dallime.
“Kemi dallime në Ballkan dhe na u shtua edhe një i tillë, tash Ballkani Perëndimor që përbëhet prej gjashtë shteteve, nuk janë këto gjashtë shtete bashkë. Pra e kemi Serbinë, por për shkak të Republikës Serbe edhe Bosnje dhe Hercegovinën që nuk i vendosi sanksione Federatës Ruse”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se e mirëkupton Brukselin si kryeqytet i dyfishtë edhe i NATO-s edhe i Bashkimit Evropian që dëshiron paqe, stabilitet dhe siguri, por për të gjitha këto kontribuon Kosova.
“Uroj që Serbia ta ndryshoj qëndrimin e saj, ta pranoj Kosovën dhe të distancohet aktualisht nga Putini, e sa i përket të kaluarës nga Millosheviqi”, tha Kurti.
“Unë takimet që i pata sot ishin shumë të mira. Tregova që Kosova është storje e suksesit, ka edhe rritje ekonomike dhe demokraci cilësore dhe kjo storje e suksesit është e përbashkët, e qëndrueshmërisë dhe punës së popullit të Kosovës, por edhe e mbështetjes ndërkombëtare. Kosova është rrëfim suksesi i ndërhyrjes së NATO-s, bashkësisë evropian dhe i orientimit euroatlantik”, tha Kurti. /RTK
