Padia që punëtorët e Telekomit të Kosovës e kanë bërë ndaj ndërmarrjes për shkak të mos-kompensimit të benefiteve të cilat iu takojnë, po kërkohet që të tërhiqet nga këta të fundit. Arsyetimi i ndërmarrjes publike është “situata e vështirë brenda korporatës”. Megjithatë, ende nuk dihet nëse një gjë e tillë do të ndodhë.
Suada Qorraj
“Telekomi i Kosovës” ka kërkuar nga punëtorët e këtij institucioni të tërheqin paditë që këta të fundit kanë bërë kundrejt ndërmarrjes publike.
Këto padi, punonjësit e Telekomit e kanë bërë për shkak të mos-kompensimit të benefiteve që këtyre të fundit iu takojnë, duke u bazuar në kontratën kolektive të vitit 2019-të të arritur mes Sindikatës së Telekomit dhe vetë ndërmarrjes.
Ndërkohë, kërkesa e Telekomit për tërheqjen e padive nga ana e punëtorëve bazohet mbi marrëveshjen mes PTK-së dhe Sindikatës. Marrëveshja ishte firmosur më 15 shkurt, 2005.
Departamenti për Relacione me Publikun të premten iu ka dërguar të gjithë punëtorëve të Telekomit një email përmes së cilës ka kërkuar tërheqjen e kërkesave dhe padive tashmë të iniciuara rreth mos-kompensimit të pagave jubilare, përvojës së punës dhe shujtave ditore.
Një kërkesë të tillë Telekomi, siç merr vesh Paparaci ndër të tjera e ka arsyetuar me situatën e vështirë në të cilën ndodhet korporata.
Njëkohësisht, ky institucion kërkesën e tyre e ka bazuar në kontratën e vitit 2005 të arritur mes PTK-së dhe Sindikatës së punëtorëve të këtij institucioni.
Në emailin e dërguar nga Telekomi pretendohet se pagesat e benefiteve ndaj punëtorëve janë bërë që nga viti 2005 e deri më sot.
“Bazuar në verifikimet e kryera në Departamentin e Financave dhe të Burimeve Njerëzore, është konstatuar se këto 3 benefite, por jo vetëm këto, të gjithë ne të punësuarit e Telekomit të Kosovës Sh.A., jemi duke i realizuar si të përfshira në pagat e rregullta (janë pjesë të inkropuara e jo të ndara nga pagat mujore) që nga viti 2005 e deri më tani”, shkruhet në emalin e dërguar më 6 maj.
Madje në këtë email, Telekomi ka thënë se kërkesat e deritanishme të punëtorëve janë duke u bërë nga “ndonjë keqinterpretim qëllimkeq”.
“Ne besojmë, se kjo dukuri e kërkesave për kompensimin e këtyre benefiteve, është rezultat i mos informimit tuaj apo të ndonjë keqinterpretimi qëllimkeq se Telekomi i Kosovës Sh.A., nuk është duke i paguar këto benefite”, thuhet tutje në email.
Paparaci ka kontaktuar me kryetarin e Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, i cili ka thënë se nëpërmjet marrëveshjes së vitit 2005, në koeficientin e rrogës janë përfshirë të gjitha benefitet.
“Kjo e vitit 2005 nuk është marrëveshje kolektive, ajo është ristrukturimi kur është bërë në vitin 2005 që është bërë ristrukturimi i kompanisë, kanë hyrë të gjitha këto benefite dhe janë bërë rroga, është bërë koeficienti i rrogës. Në bazë të kësaj kanë hyrë benificionet dhe të tjerat në atë kohë kur nuk ka pasur ligj”, tha ai për mediumin online Paparaci.
Ai ka shtuar se marrëveshja aktuale kolektive e nënshkruar në vitin 2019-të është bërë sipas ligjeve dhe në të parashihen të gjitha benefitet.
“Sa i përket marrëveshjes kolektive që është aktualisht, ne i kemi vendosur beneficionet për shkak se është edhe ligji që i parasheh beneficionet . Po na kemi qenë duke i marrë beneficionet thuaja në të njëjtën kohë”.
Lamih Balaj i tha mediumit se ndërmarrja momentalisht ndodhet në një fazë të re të rikonstruktimit dhe kur të përfundojë kjo fazë, marrëveshja e vitit 2005 bie dhe beneficionet hyjnë në marrëveshjen e re.
Sipas marrëveshjes së vitit 2005 të arritur mes PTK-së dhe Sindikatës së Telekomit, ndërmarrja obligohet të ua paguajë punëtorëve pagën e 13-të, shtesat për përvojën e punës, kompensimin për shujtën ditore dhe benefite të tjera.

Ndërkohë, që që nga 2011 ekziston udhëzimi administrativ mbi të cilin bazohet edhe regjistrimi i marrëveshjeve kolektive.
Ky udhëzim administrativ është i bazuar në ligjin e punës përmes të cilit rregullohen të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës.
Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala me mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi.
Edhe pse është konsideruar si kompania më profitabile në vend, që nga viti 2015 është përballur me probleme të mëdha financiare dhe operative ose me humbje milionëshe brenda vitit.
Për të dalë, nga gjendja e rëndë financiare, Qeveria e Kosovës në janar të vitit 2019, mori vendim që të privatizohet kjo kompani.
Sipas projeksioneve të atëhershme të Qeverisë së Kosovës, privatizimi përfshinë pjesën vendimmarrëse të Telekomit, me rreth 51 për qind, duke qëndruar aksionarë për pjesën tjetër. /Paparaci.com
