Shumica qeverisëse në Asamblenë Komunale të Prishtinës e ka futur në rend të ditës për mbledhjen e sotme, propozim-vendimin për dhënien në shfrytëzim të tokës komunale për festivalin “Sunny Hill”.
Me 26 vota pro dhe 25 kundër, ka kaluar propozim-vendimi i kryetarit Përparim Rama për futjen në rend të ditës së pikës që parasheh dhënien e 1.2 hektarëve tokë në shfrytëzim për festivalin e muzikës.
Propozimin e Ramës e ka kundërshtuar Lëvizja Vetëvendosje.
Mbledhja e Kuvendit Komuna po mbahet sot. Mbi dhjetë pikë të rendit të ditës do të shqyrtohen nga asamblistët.
“Sunny Hill” është paraparë të mbahet në Bernicë të Prishtinës, në fillim të muajit gusht. Ai organizohet nga “Sunny Hill Festival”, drejtor i të cilit është Dukagjin Lipa, babai i këngëtares me famë botërore, Dua Lipa.

Kryetari Rama propozon 1.2 hektarë tokë në shfrytëzim për Sunny Hill
Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar propozim-vendimin e kryetarit Përparim Rama për dhënien e tokës komunale në shfrytëzim për festivalin “Sunny Hill”, derisa të plotësohet dokumentacioni i plotë.
Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës të martën, kreu i Komunës së Prishtinës propozoi vendosjen si pikë të rendit të ditës të vendimit për dhënien në shfrytëzim të 1.2 hektarëve tokë në fshatin Bernicë, për festivalin “Sunny Hill”.
“Do të shtojmë edhe pikën për propozim-vendimin për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prishtinës për festivalin ‘Sunny Hill'”, propozoi kryetari Rama në fillimin e seancës.
Mirëpo, propozimi i kryetarit Rama u kundërshtua nga opozita me arsyetimin se mungon dokumentacioni i plotë për dhënien e pronës në shfrytëzim.
Sipas Gëzim Sveçlës së Lëvizjes Vetëvendosje, subjekti më i madh brenda Asamblesë së Prishtinës do ta mbështet propozimin vetëm kur të plotësohet dokumentacioni i plotë.
“Jemi për me kalu pika e rendit të ditës për festivalin ‘Sunny Hill’ mirëpo kërkojmë që të kompletohet dokumentacioni në plotni”, tha ai.
Edhe subjektet e tjera opozitare kanë kërkuar kohë për shqyrtimin e dokumentacionit para se të hidhet në votim propozim-vendimi për “Sunny Hill”.
Festivali “Sunny Hill” është paraparë të mbahet në Bernicë të Prishtinës, në fillim të muajit gusht. Ai organizohet nga “Sunny Hill Festival”, drejtor i të cilit është Dukagjin Lipa, babai i këngëtares me famë botërore, Dua Lipa.
