Anëtari serb i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, ka udhëtuar për në Bruksel për të marrë pjesë në darkën joformale të organizuar për gjashtë liderë nga Ballkani Perëndimor sonte nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Joseph Borrell.
Siç shkruajnë mediat boshnjake, Dodik udhëton në Bruksel për të zëvendësuar kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Zoran Tegeltija, i cili po qëndron në një vizitë zyrtare në Nju Jork të ShBA-ve.
Dodik do të pritet në ngjarjen e organizuar nga Bashkimi Evropian, pavarësisht se ai ndodhet në Listën e Zezë të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara.
Në darkën joformale të Borrellit do të marrë pjesë edhe Donika Gërvalla, kryediplomatja e Kosovës.
Pjesëmarrja në darkë zakonisht është në nivel të presidentëve apo kryeministrave por për shkak se kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani ndodhen në SHBA, Kosovën do ta përfaqësojë ministrja e Punëve të Jashtme.
Lajmin e ka bërë të ditur të martën Sharr Jakupi, shef i Stafit të ministres Gërvalla.
