Të fundit

Tenderi i mbyllur në vlerë 1.5 mln euro – “Prishtina Parking” arsyetohet me kaosin në trafik

“Prishtina Parking” ka arsyetuar dhënien e një tenderi të mbyllur në vlerë prej 1.5 milion eurove për projektin e kamerave digjitale në trafik, me situatën kaotike të komunikacionit në Prishtinë.

Ndërmarrja Publike Lokale ka shpërblyer me tender në vlerë 1.5 milion euro kompaninë e sigurimit “Besa Security” për vendosjen dhe menaxhimin e kamerave për trafik në Komunën e Prishtinës.

Oferta fituese është përzgjedhur përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, raportoi Paparaci të martën.

“Prishtina Parking” Sh.a. ka thënë se procedura urgjente e prokurimit për projektin e vendosjes së kamerave digjitale në Prishtinë, është iniciuar si pasojë e mos përfshirjes së projektit në planin vjetor të prokurimit.

Po ashtu, një arsye tjetër është “kaosi i trafikut në kryeqytet”, thuhet në një deklarim të ndërmarrjes për Paparacin.

“Pasiqë nuk ka qenë në planin vjetor të prokurimit dhe planin e biznesit të ndërmarrjes, ku delegimi  i kompetencave është bërë nga Komuna e Prishtinës për fillimin e procedurave dhe duke pas  parasysh situatën kaotike në Kryeqytet, trafiku i stërngarkuar, vozitje pa respektim të ligjit të  trafikut dhe po ashtu duke qenë të informuar edhe nga institucionet që nuk kanë kapacitete të mjaftueshme që të kenë në kontroll 100% komunikacionin rrugor në kryeqytet, kemi njoftuar  KRPP-në për fillimin e këtij tenderi me këtë procedurë”, ka thënë një zyrtar i Prishtina Parking, në një përgjigje me shkrim për mediumin të martën.

Sipas “Prishtina Parking”, katër operatorë ekonomikë u ftuan për negocimin e një kontrate për projektin milionësh. Vetëm një kompani private, “Besa Security”, negocioi për tenderin.

Sipas të dhënave në platformën e prokurimit publik e-prokurimi, ndërmarrja publike lokale negocioi me kompaninë private “Besa Security” dhe përzgjodhi atë fituese të kontratës.

Zyrtarët e ndërmarrjes kanë thënë për Paparacin se procedura e prokurimit është zhvilluar bazuar në të gjitha legjislacionet në fuqi.

“Anëtarët e komisionit të negocimit në bazë të dispozitave të ligjit për Prokurimin publik, kritereve  të dosjes së tenderit si dhe rregullave të udhëzuesit operativ për prokurimin publik kanë zhvilluar  negociatat me OE”, kanë thënë nga “Prishtina Parking”.

Pika kyçe e këtij projekti është pajisja e Policisë së Kosovës me kamera digjitale për shqiptimin e  gjobave elektronike dhe menaxhimin e tyre, tha një zyrtar i ndërmarrjes.

Zhvillimi i projektit i ishte deleguar ndërmarrjes me vendim të ish-kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, të nxjerrë vitin e kaluar.

Kontrata pritet të nisë zbatimin brenda 90 ditësh, kur parashihet të përfundojë afati i liferimit të pajisjeve dhe vendosjes në funksion të pajisjeve.

Kontrata parashihet të zgjasë tri vjet, bazuar në Dosjen e Tenderit, raportoi Paparaci.

Me projektin e vendosjes së kamerave në trafik, “Prishtina Parking” Sh.a. planifikon implementimin e sistemit automatik të gjobave në trafik për mbarëvajtjen e shpejtësisë së lejuar për qarkullim në rrugët e kryeqytetit, si dhe sistemin automatik të ndalimeve dhe parkimeve në vende të palejuara.

Po ashtu, projekti parasheh identifikimin e shkeljeve tjera të trafikut në udhëkryqet kryesore të Prishtinës dhe lehtësimin e lëvizjes së makinave dhe trafikut në përgjithësi. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

VV SHOW-Pushteti nuk ka problem Vita-n, por pronarin -Historia e marrëdhënieve të Kurtit me Devollët

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci