Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka emëruar dy drejtues të rinj në degët e saj në komunat e Istogut dhe Obiliqit, ka thënë subjekti politik në një njoftim për media të mërkurën.
Ali Nimanaj është zgjedhur përkohësisht drejtues i Degës së PDK-së në Istog, ndërsa drejtues i Degës në Obiliq është caktuar Enise Haliti.
Sipas PDK-së, dy emërimet e fundit janë vazhdimësi e “reformave dhe konsolidimit të degëve të PDK-së”.
“Në vazhdën e reformave dhe të konsolidimit të degëve tw Partisë Demokratike të Kosovës, në pajtim me vendimin e mbledhjes së fundit të Këshillit Drejtues, si dhe në bazë të nenit 31 të statutit, Kryesia e PDK-së ka vendosur që të caktojë udhëheqësinë e përkohshme në Degën e PDK-së Istog, me kryetar z. Ali Nimanaj si dhe në Obiliq me kryetare Znj. Enise Haliti”, tha PDK-ja në një komunikatë për media, raporton Paparaci.
Po ashtu, anëtarët e Kryesisë së PDK-së e vlerësuan “të drejtë e të domosdoshëm vendimin e Kuvendit të Kosovës për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për menaxhimin e krizës së energjisë nga Qeveria dhe institucionet tjera përgjegjëse”. /Paparaci.com
