Kosova ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në Këshillin e Evropës. E një gjë e tillë krahas vëmendjes së mediave ndërkombëtare, nuk ka lënë pa u komentuar edhe nga ato ruse.
E përditshmja e Moskës “Kommersant” sot ka shkruar se shanset e Kosovës për anëtarësim në Këshillin Evropian janë të mëdha, veçanërisht pas përjashtimit të Rusisë nga ajo organizatë.
Siç raportojnë mediat serbe, gazeta ruse ka shkruar se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pas këtij veprimi nga Kosova ka premtuar një përgjigje të fortë diplomatike.
Sipas mediave Vuçiq për këtë përgjigje është duke llogaritur edhe në mbështetjen e Moskës, por shtohet se nuk dihet nëse ai do ta marrë këtë mbështetje.
Gazeta shkruan se vetë Serbia ka mbështetur tre herë rezolutat anti-ruse në OKB gjatë krizës ukrainase, duke përfshirë pezullimin e anëtarësimit të Rusisë në Këshillin për të Drejtat e Njeriut dhe se Vuçiq së fundmi kritikoi Kremlinin për dobësimin e pozitës së Serbisë ndaj Kosovës.
Kommersant shkruan se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte një fitore e madhe diplomatike për të dhe se ajo ka shanse të mëdha për të fituar shumicën e nevojshme në atë organizatë, pasi dy të tretat e anëtarëve e mbështetën pavarësinë e Kosovës.
Gazeta shkruan, duke cituar burime të paidentifikuara pranë autoriteteve në Serbi, se Beogradi do të rifillojë një fushatë aktive diplomatike në mënyrë që vendet që kanë njohur Kosovën të tërheqin njohjen.
“Beogradi qartazi po shpreson në mbështetjen e Moskës në kryerjen e një fushate të fuqishme për revokimin e njohjeve së Kosovës”, shkruan gazeta, duke shtuar se Ministria e Jashtme ruse ka shprehur pakënaqësi me qëndrimin e Serbisë, për herë të parë gjatë krizës ukrainase.
Kujtojmë se Këshilli i Evropës është institucioni më i vjetër i të drejtave të njeriut në Evropë që bashkon demokracitë nga i gjithë kontinenti për të mbrojtur të drejtat e njeriut.
Ky institucion i cili është themeluar në vitin 1949, ka seli në Strasburg të Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.
Ndryshe, Rusia gjatë javëve të kaluara është larguar nga Këshilli i Evropës pas pushtimit në Ukrainë.
