Trajneri kosovar, Ismet Munishi, ka pranuar se ka pasur bisedime për një transferim të mundshëm te ekipi i Shkëndijës së Tetovës në Superligën e Maqedonisë.
Munishi, i cili u shkarkua para disa jave nga skuadra e Gjilanit ka mbetur pa punë dhe ka pranuar se tashmë është i hapur për negociata.
I pyetur nga Open-TV, Munishi ka pranuar se ka pasur kontakte me drejtuesit e klubit nga Tetova.
“Po kemi pasur dhe kemi kontakte në vazhdimësi. Gjithmonë kemi pas kontakte kur unë kam qenë i angazhuar, e tash jam i hapur për negociata. Disa herë në telefon kemi kontaktuar me Besnik Ibrahimin dhe Artim Shaqirin.
Për mua do të ishte nder i madh dhe privilegj. Klub i madh me tifozeri fantastike siç janë ‘Ballistët’. Nuk e fshehi se kam oferta edhe nga disa klube të tjera të Kosovës”, tha Munishi.
Shkëndija nuk arriti ta mbrojë titullin kampion, duke e përfunduar sezonin në vendin e tretë me 61 pikë, pas kampionit FC Shkupi dhe A. Pandev.
