Gazetari Vehbi Kajtazi ka deklaruar se gjykatësi i Gjykatës Speciale, kur kishte qenë pjesë e misionit të EULEX-it në Kosovë, pjesëtarët e Grupit Drenica i kishte quajtur kafshë që duhen zbutur.
Ai tregoi se përmes hulumtimeve e ka zbuluar padrejtësinë e misioneve në Kosovë.
Sipas tij, po i njëjti gjykatës, që ka shqiptuar dënimin për rastin e Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit, në të kaluarën i kishte quajtur pjesëtarët e Grupit Drenica kafshë që duhet zbutur.
“Ky kryetari i trupit gjykues, zotëria i cili po tenton t’i frikësojë të tjerët, vetëm se po jua bëj me dije se, ky zotëria në rastin e grupit të Drenicës, gjatë gjykimit ka thënë se këta janë kafshë që duhet të zbuten, dhe për këtë është denoncuar publikisht, edhe askujt nuk i është dëgjuar zëri për këtë punë. Thjesht kanë dalë shkrimet dhe argumentet. Këto që po i them unë, janë në padinë e ish-kryetarit të EULEX, Malcom Simons”.
“Gjithçka mund të jetë e bazuar në ligj, por problemi qëndron se kush po e zbaton atë ligj“, deklaroi Kajtazi në RTV Dukagjini, përcjell Paparaci, teksa shtoi se mbi 50 për qind e gjyqtarëve të EULEX-it janë në Gjykatën Speciale.
Të mërkurën, Dhomat e Specializuara i shpallën fajtorë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn për pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh.
Ekipet mbrojtëse të Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit konfirmuan se do të apelojnë aktgjykimin dënues për dy të akuzuarit, shqiptuar më 18 maj nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Vendimi i fajësisë mund të apelohet nga palët brenda 30 ditësh te paneli i Gjykatës së Apelit në Hagë, që funksionon sipas ligjeve të Kosovës.
