Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka njoftuar se kjo parti ka dorëzuar nismën për shkarkimin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë,
Gashi këtë njoftim e ka bërë përmes një postimi në Facebook.
“Në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, sot, në Kuvendin e Kosovës, zyrtarisht dorëzuam nismën për shkarkimin e bordit të ZRRE-së. Vendimet e bordit të ZRRE-së kanë qenë jo transparente, diskriminuese ndaj konsumatorëve si dhe kundër interesit publik. Paaftësia në menaxhimin e krizës së energjisë dhe papërgjegjësia e bordit të ZRRE-së ka dëmtuar rënd mirëqenien e qytetarëve duke e thelluar krizën e papërballueshmerisë, andaj shkarkimi i këtij bordi është më e pakta”, shkruan ai.
Kërkesa e opozitarëve për shkarkimin e Bordit të ZRRE-së vjen pasi Gjykata e Apelit pezulloi vendimin për vendosjen e bllok-tarifave në energji, në muajin shkurt.
ZRRE-ja pati vendosur për shtrenjtim të energjisë për këdo që shpenzon mbi 800 kilovatë në muaj. Qeveria pati ndarë mbi 100 milionë euro për atë kohë, për shkak të krizës që kaploi botën me shtrenjtimin e rrymës.
