Enkelejd Alibeaj, kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe përkrahësit e Lulzim Bashës kanë dërguar në Parlament një rezolutë për dënimin e masakrës dhe gjenocidit serb në Kosovë.
Mediat në Shqipëri raportojnë se mbrëmjen e sotme, Partia Demokratike ka publikuar një dokument ku thuhet se e njëjta kërkesë i ka shkuar Kuvendit katër ditë më parë, por këtë herë me firmën e kryetarit Sali Berisha dhe mbështetësit e tij.
Në kërkesën e tyre thuhet se kjo rezolutë ka për qëllim të dënojë gjenocidin serb në Kosovë ndaj popullit shqiptar dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut.
Në fund ajo kërkon nga qeveria të bashkëpunojë dhe të ndihmojë qeverinë e Kosovës për të mbrojtur para drejtësisë ndërkombëtare faktet dhe argumentet ligjorë, të cilat provojnë genocidin ndaj shqiptarëve në Kosovë gjatë luftës 1998-1999.
PD kërkon që data 15 Janar të shpallet dita e kujtimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë.
“Ne kërkojmë që data 15 Janar, dita më përkujtim të masakrës së Reçakut të shpallet si dita e kujtimit të genocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës”, thuhet në rezolutë.



Ndërkohë, që në rezolutën e Enkelejd Alibeaj thekson dhe përdor termin “gjenocid” për dhunën e kryer nga forcat serbe në territorin e Kosovës.
Ajo bazohet në raportin e Reporterit Special të OKB-së A/53/322 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, dt. 11.09.1998, për vrasjet dhe ekzekutimet e banorëve shqiptarë në vendbanimet e tyre dhe numrin e madh të të dëbuarve; sikundër dhe në deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Sesionin e 53-të të Komisionit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, E/CN.4/1999/SR.19, dt. 9 korrik 1999, për fundshekullin e 20-të “nën retë e zeza të gjenocidit”, e që karakterizohet edhe nga “fushata e spastrimit etnik të kryer nga autoritetet serbe në Kosovë, që duket se ka vetëm një qëllim: të dëbojë nga Kosova ose të vrasë sa më shumë shqiptarë etnik, duke i mohuar të drejtat themelore për jetën, lirinë dhe sigurinë”.
Rezoluta i referohet krimeve të kryera nga forcat serbe përmes një fushate të planifikuar dhe institucionalizuar në rang shtetëror me qëllim zhdukjen e shqiptarëve dhe ndryshimin e dhunshëm të përbërjes etnike, që rezultoi me dëbimin e rreth 1 milion personave, vrasjen e rreth 12 mijë civilëve të pambrojtur nga të gjitha etnitë, mes të cilëve 1392 fëmijë dhe 1739 gra.
PD depoziton në Kuvend rezolutë për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë
