Deri vonë, 500 euro në muaj i kanë mjaftuar familjes katëranëtarëshe të Leutrim Kabashit për blerjen e produkteve ushqimore. Rroga e tij më nuk mjafton.
“Po blej më pak gjëra, po i blej produktet me çmime të lira, normal me cilësi ndoshta më të dobët”, thotë Leutrimi, i cili punon si shitës në një kompani tregtare.
Ngritjen e çmimeve ai ka filluar ta vërejë dy muaj më parë.
“Me një fjalë, shporta mujore apo javore e familjes time më nuk është siç ka qenë”, thotë ai.
Sedat Gushlla, i cili punon si menaxher në një restorant, beson se çmimet kanë shënuar rritje për 30 për qind.
Ai jeton në Prishtinë me familjen e tij treanëtarëshe.
“Përbërësit kryesore të kuzhinës – mielli, sheqeri, vaji –kanë ngritje. Njëri prej llojit të mishit, bifteku, kilogrami i të cilit ka qenë 13 euro vitin e kaluar u rrit në 15, e tani është bërë 20 deri në 23 euro”, tregon ai.
Shqetësimi i qytetarëve për rritje të çmimeve ka nisur qysh në fillim të këtij viti. Edhe të dhënat tregojnë se kostoja minimale e shpenzimeve jetësore është në rritje.
Shtrenjtimi i produkteve bazike
Një kilogram miell gruri kushton 0.75 euro. Në vitin e kaluar mesatarja e këtij produkti ka kushtuar 0.55 euro. Tridhjetë copë vezë kushtojnë 3.51 ndërsa në vitin e kaluar mesatarja ka qenë 2.57 euro. Çmimi i vajit ushqimor nga 1.48 sa ka qenë vitin e kaluar, është rritur në 2.62 euro.
Krahasuar me vitin e kaluar, rritje të çmimi ka pësuar edhe buka, mishi, produktet e qumështit, perimet, lëngjet dhe produkte të tjera.
Të dhënat zyrtare të anketës së buxhetit të ekonomive familjare në Kosovë publikohet çdo pesë vjet. E fundit ishte në vitin 2018, me të dhënat për vitin 2017.
