Republika separatiste e Osetisë së Jugut anuloi një referendum të planifikuar për bashkimin me Rusinë, sipas një dekreti.
Referendumi u thirr nga ish-lideri i rajonit, Anatoli Bibilov, i cili propozoi masën e diskutueshme për të siguruar rizgjedhjen e tij.
Megjithatë, Bibilov humbi zgjedhjet presidenciale të rajonit në fillim të majit nga rivali Alan Gagloev.
Gagloev ishte kritik ndaj referendumit, duke e quajtur iniciativën të parakohshme, pavarësisht se shprehu mbështetjen e tij për pranimin përfundimtar të Osetisë së Jugut në Rusi.
Që kur fitoi zgjedhjet ”de facto” të Osetisë së Jugut, Gagloev ka sinjalizuar synimin e tij për t’u konsultuar me Moskën për të arritur integrimin e rajonit me Rusinë dhe ka njoftuar synimin e tij për të udhëtuar në Moskë në të ardhmen e afërt.
Ndërkohë, dekreti i Bibilovit është anuluar.
Rajoni i Osetisë së Jugut, i cili ka vetëm 50 000 banorë, u shkëput nga Gjeorgjia në fillim të viteve 1990, pas një lufte të përgjakshme civile.
Në vitin 2008, pas një lufte të shkurtër me Gjeorgjinë, Rusia njohu pavarësinë e Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë, një republikë tjetër separatiste që është nominalisht pjesë e Gjeorgjisë.
