Një vendim i Gjykatës Kushtetuese që Qeveria e Kosovës t’i pajisë konsumatorët me energji elektrike në veri dhe ta bëjë faturimin skadon sot. Afati për zbatimin e këtij vendimi vlen veç deri më 13 qershor. Pas kësaj date, shteti e shkel Kushtetutën dhe sovranitetin e vendit. Nga kryeministria thonë se janë afër zgjidhjes së këtij problemi, por deri më tani nuk ka ende asgjë zyrtare.
Gjykata Kushtetuese e kishte obliguar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, që brenda gjashtë muajsh, pra deri më 13 qershor, t’i dërgojnë faturat e shpenzimit të energjisë elektrike shtëpi për shtëpi në katër komuna në veri të vendit të banuara kryesisht me serbë.
Nga viti 1999 deri më 2017, borxhin për veriun e Kosovës e kanë paguar qytetarët e komunave të tjera të Kosovës.
Gjykata vlerësoi se sovraniteti i Kosovës shtrihet edhe nëpërmjet faturimit dhe inkasimit në katër komunat veriore. Si pasojë, mos zbatimi i faturimit dhe mbledhjes së borxheve për shpenzimet e energjisë elektrike, e vë Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, përballë shkeljes së rëndë të Kushtetutës së Republikës.
Aktgjykimi u nxor më 28 dhjetor, 2021 dhe u publikua më 13 janar të këtij viti bazuar në parashtresën e deputetes Blerta Deliu-Kodra dhe 12 deputetëve tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Rekomandimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nr.08-R-01, të 6 majit 2021.
“Gjykata fillimisht sqaron se, objekt i vlerësimit kushtetues në këtë rast është vetëm kushtetutshmëria e Aktit të kontestuar të Kuvendit, të 6 majit 2021, me të cilin: (i) është autorizuar KOSTT që të mbulojë devijimet e energjisë elektrike në katër (4) komuna të Republikës së Kosovës, duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, mjete këto të cilat do të kompensohen “nga dividenda apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm”, thuhet në pikën dy të aktgjykimit i publikuar më 13 janar të këtij viti.
“(ii) është obliguar Qeveria e Kosovës, që brenda afatit gjashtë (6) mujor të sigurojë të gjithë procesin e futjes në sistemin e faturimit, sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi, në bashkëpunim me palët përgjegjëse, për faturimin e konsumatorëve në katër (4) komunat përkatëse me energji elektrike”, thuhet tutje.
Kjo pikë jo vetëm që e obligonte Qeverinë e Kosovës ta shtrijë sistemin, përkatësisht instalimin e njësorëve, por edhe faturimin e konsumatorëve.
Megjithatë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi deklaroi se Kosova është shumë afër finalizimit të dakordimit për nisjen e zbatimit të udhërrëfyesit të energjisë, që synon vendosjen në binarë të problematikёs së rrymës së shpenzuar dhe jo të faturuar në veri të vendit.
Sipas tij, kjo është një problem që është krijuar, mirëmbajtur dhe trashёgurr tutje nga të gjitha qeveritë e deritanishme.
Ai tha se çdo dakordim eventual ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi çështjen e energjisë, nuk do ndryshojë as edhe një presje përtej asaj që tashmë është dakorduar në Bruksel në vitet 2013 dhe 2015.
“Ditët në vijim janë kritike për finalizimin e dakordimit për nisjen e zbatimit tё udhërrёfyesit të energjisё, me ç’rast mund të ketë fushata dezinformimi që qëllim kanë dëmtimin e procesit dhe mirëmbajtjen e problemit. Andaj, i ftoj të gjithë që të jemi edhe më të kujdesshëm në pranimin dhe shpërndarjen e informatave të pakonfirmuara. Për çdo zhvillim zyrtar, do t‘iu mbajmë të informuar”, përfundon njoftimi i zv/kryeministrit.
Ndërkohë, të premten, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se Kosova dhe Serbia janë shumë afër arritjes së marrëveshjes për energjinë.
Në konferencën për medie me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se ka pasur negociata me KEDS-in.
“Sot kemi pasur negociata me palën turke, me KEDS-in, për prezencën në veri të Kosovës. Për këtë jemi dakorduar. Shpresojmë se ka mbetur vetëm ana teknike [që të rregullohet] dhe do të kemi rezultate të mira në ditët në vijim”, tha Vuçiq.
Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës kishte autorizuar KOSTT-in që të mbulojë devijimet e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës, duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, mjete këto të cilat do të kompensoheshin “nga dividendë apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm”.
“Gjykata më tej sqaron se, bazuar në dokumentacionin e pranuar nga palët e interesuara, si rezultat i mosfaturimit të energjisë elektrike për konsumatorët e energjisë elektrike në katër (4) komunat e Republikës së Kosovës, humbjet e energjisë elektrike janë regjistruar ‘si devijim i Kosovës ndaj sistemit të Evropës Kontinentale’. Pas shfuqizimit të Vendimit të lartcekur të ZREE-së dhe deri në prill të vitit 2021, këto humbje, përkatësisht devijimet në sistemin elektroenergjetik të Republikës së Kosovës, janë mbuluar nga Buxheti i Republikës së Kosovës”, thuhet në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata ka theksuar se si rezultat i mos-faturimit/mospagesës së energjisë elektrike për konsumatorët e energjisë elektrike në katër komunat e Republikës së Kosovës, konsumi i energjisë elektrike në këto katër komuna, është regjistruar si devijim, shkruan Paparaci.
Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar Marrëveshjen për Energjetikën në vitin 2013 dhe ajo ende sot nuk zbatohet.
Kompania “Elektrosever”, e cila, sipas Marrëveshjes së Brukselit, duhet t’i dërgojë dhe t’i mbledhë faturat për qytetarët në veri – ku shumica janë të nacionalitetit serb – nuk ka marrë ende licencë.
Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së parë për Energjetikën në vitin 2013, Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord për konkluzionet për zbatimin e kësaj marrëveshjeje në vitin 2015.
Sipas tyre, Elektrosever “do të aplikojë në Zyrën e Rregullatorit për Energji për licencën e nevojshme për furnizimin e konsumatorëve, për blerjen dhe shitjen e energjisë elektrike në treg të hapur dhe për importin dhe eksportin e energjisë elektrike”.
Ajo licencë duhet të lëshohet në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative, që është në fuqi në Kosovë.
Nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT) bëjnë të ditur se humbjet vetëm për vitin 2021 kanë arritur shumën prej 40 milionë eurosh.
“KOSTT ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji që urgjentisht ta heqë obligimin për mbulimin e humbjeve në veri nga operatori i licencuar i sistemit të transmisionit, ose të gjejë një mekanizëm tjetër për mbulimin e këtyre shpenzimeve”, thuhet në një deklaratë me shkrim nga KOSTT-i, dërguar Radios Evropa e Lirë.
Por, ZRRE thotë se nuk ka mënyrë tjetër për t’i kompensuar shpenzimet e energjisë elektrike në komunat në veri, sepse Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka ndaluar rritjen e faturave për qytetarët në jug të Ibrit, që do t’i kompensonin humbjet.
“Që atëherë (2017) e deri më sot, konsumi i energjisë elektrike në komunat në veri të Kosovës paguhet nga KOSTT, gjegjësisht Qeveria e Republikës së Kosovës”, thotë Zyra e Rregullatorit për Energji.
Kosova në fillim të vitit ishte përballur me krizën e saj energjetike, që çoi edhe në shtrenjtimin e faturave elektrike. Një vendim i tillë është pezulluar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Partitë opozitare në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, janë shprehur kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike. /Paparaci.com
Gjykata obligon Qeverinë t’i faturojë serbët në veri – ndryshe shkel rëndë Kushtetutën
