Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar protestë për të enjten pasi deputetët e Kuvendit miratuan në parim projektligjin për pagën minimale.
Sipas një njoftimi nga kjo organizatë u tha se “Kuvendi i turpit të Kosovës, deputetët e pushtetit (me ndonjë përjashtim) së bashku me pakicat, të rrethuar me forca policore, miratuan në lexim të parë projektligjin për ndryshimin e ligjeve, me anë të të cilit u përjashtuan veteranët e luftës së UÇK-së edhe nga paga minimale”.
Sipas tyre, ligjvënësit vepruan sot edhe kundërligjshëm e kundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Deri në kategorimin përfundimtar të listës së Veteranit Luftëtar të UÇK-së, skema pensionale zbatohet siç është paraparë me ligjin bazik, pra ligji bazik është ai që i lidhë veteranët me pagën minimale”.
“Për shkak të këtij turpi të deputetëve të Kuvendit, Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së, ftojnë protestë gjithëpopullore para institucioneve (Kuvend e Qeveri) me datën 16 qershor 2022 prej orës 09:30. Dalja sa më masive në protestë, nënkupton mbrojtje të institucionit më të lartë, luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kategorive të saj”, thuhet në njoftimin e OVL-UÇK-së.
