Deputetja e Parlamentit Evropian Viola von Cramon ka thënë se nëse Serbia dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, duhet të njohë pavarësinë e Kosovës dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë, transmeton Paparaci.
“Ne i dimë vështirësitë në këtë drejtim (vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë), presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka shpjeguar gjithçka, por pa marrë parasysh këtë ne duhet të shohim përkushtimin e Serbisë që për fillim të përballet me sanksionet ndaj Rusisë dhe me varësinë e saj nga energjia ruse”, ka thënë Viola von Cramon për gazetën serbe “Nova”.
Në arritjen e marrëveshjes përfundimtare, shtoi ajo, BE pret edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
“Detyrimet ekzistojnë edhe për palën kosovare – zbatimi i vendimit të gjykatës për manastirin e Deçanit dhe për të përgatitur një projekt-plan për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, ka thënë von Cramon./Paparaci
