Dardan Molliqaj pas lirimit ka deklaruar se e Policia e Kosovës e arrestoi atë me pompozitet dhe në bazë të një urdhërarresti të lëshuar 16 ditë më parë.
Kryetari i PSD-së u shpreh se ai urdhër-arrest ishte i lëshuar jashtëligjshëm. Për këtë thotë se ia konfirmuan edhe zyrtarët policorë.
Sipas tij, arrestimi ishte rezultat i qartë i presionit politik,
“Më liruan pas 2-3 orësh sepse s’kishin si t’më mbanin kur edhe urdhërarresti edhe arrestimi ishin të paligjshme. Pse zgjodhën pikërisht 1 ditë para protestës së veteranëve ta aktivizojnë këtë urdhërarrest që ishte lëshuar para 2 javësh për një rast krejt tjetër?! Pse më liruan menjëherë, pa më dërguar as në prokurori e as në gjykatë?”, shkroi ai në Facebook.
“Kjo nuk lë asnjë dilemë. Këtë ma konfirmuan edhe policët: arrestimi ishte rezultat i qartë i presionit politik. Tentim frikësimi e shfaqje e forcës, në një kohë kur kundërshtimi qytetar po rritet ndaj kësaj qeverie”.
Ish-deputeti theksoi se “brutaliteti autoritar që kundërshtimin e vërtetë synon ta shtypë me dhunë, nuk ka tjetër formë”.
“Qeverisë Kurti po i dridhen temelet, prandaj këto veprime policore joligjore”, përfundoi ai në Facebook, pas arrestimit të enjten nga Policia e Kosovës.
