Ikona e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, do të bëhet me mural në Prishtinë dhe Gjakovë.
Mbrëmjen e së dielës “Mural Festi” ka bërë gati hapësirën e punës në kryqëzimin e rrugëve “Qamil Hoxha” dhe “Sylejman Vokshi” në kryeqytet.
Organizatoja e “Mural Fest-it”, Lebibe Topalli, cila ka thënë se është nder që të realizojnë këto dy murale për Nexhmije Pagarushën.
“Për ne si Mural Fest por edhe për mua personalisht është nder me marrë një iniciativë të tillë dhe me realizu një mural me Nexhmijën”, citohet të ketë thënë ajo për KlanKosova.
Ajo ndër të tjera njoftoi se kuratorja e këtij murali është Alba Fabre, profesoreshë e Akademisë së Arteve në Barcelonë, e cila tashmë gjendet në Kosovë.
“Artistja që do e bëj këtë mural vjen nga Spanja dhe është profesoreshë në Akademinë e Barcelonës. Procedura e bërjes së muralit do të zgjasë pesë ditë pune ku dje veçse kemi filluar me punë dhe në rast se edhe moti është i mirë besojmë që të premten të përfundojë”, ka thënë Topalli.
Topalli mes tjerash bëri të ditur se aktivitetet e “Mural Fest” do të vazhdojnë.
“Këtë vit e kemi filluar me një mural për Rita Orën dhe po e mbyllim me ikonën Nexhmije Pagarusha, murale tjera nuk do të ketë – por nëse na premton koha mund të bëjmë grafite me artistë vendor”, ka shtuar ajo për Klan Kosovën.
Ikona shqiptare, Nexhmije Pagarusha, e cila i dha vlera të përjetshme kulturës dhe artit tonë kombëtar, ndërroi jetë më 7 shkurt 2020.
