Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka vazhduar të sulmojë sistemin prokurorial të shtetit, teksa të dielën ka kritikuar Prokurorinë Themelore në Mitrovicë për lirimin e një të dyshuari për sulm ndaj zyrtarëve policorë.
Basha, në një postim bë Facebook rreth orës 23:00 të së dielës, ka pretenduar se Prokuroria e Shtetit ka liruar “një kriminel”.
“Nëse ju ka ik, Policia e Kosovës ka ndalu një kamion me kontrabandë, e ndërkohë janë sulmu nga dy kriminelët, dhe në proces i kanë lënduar 5 policë dhe janë dëmtuar dy automjete zyrtare. Prokuroria e ka lëshu menjëherë njërin prej tyre që kishte sulmuar policët!”, deklaroi ai.
“Ky është sistemi i drejtësisë që ‘gëzojmë’, ku prokuroria as policisë nuk i del krahë!”, tha Basha.
Të dielën, teksa zyrtarët e Policisë së Kosovës po tentonin të ndalonin një kamion të dyshuar për kontrabandim mallrash, policia u pengua nga auatomjete civile në fshatin Jashanicë të Leposaviqit.
Siç njoftoi policia, kamioni i dyshuar me një shpejtësi të madhe ka ardhur në drejtim të veturave dhe zyrtarëve policorë, me qëllim goditjen e tyre dhe me këtë rast, kamioni ka goditur dy herë një veturë zyrtare policore. Si pasojë janë lënduar pesë zyrtarë policorë dhe është dëmtuar automjeti i policisë.
Tutje, në përpjekje e sipër për ta ndaluar, vozitësi i kamionit e ka goditur veturën policore për herë të dytë, duke u shkaktuar lëndime zyrtarëve policorë si dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
“Duke parë rrezikun e lartë për jetën e zyrtarëve policorë si dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik, zyrtarët policorë kanë ndërmarr veprimet e domosdoshme dhe proporcionale me qëllim të ndalimit të rrezikut duke edhe përdorur armën zyrtare”, njoftoi policia.
“Pas të gjitha veprimeve ligjore zyrtarët policorë, në fshatin Llazhinë kanë arritur të ndalin kamionin dhe me këtë rast kanë arrestuar vozitësin e kamionit, personin e dyshuar A.D (1990).
