Bajram Begaj në fjalimin e tij të parë në Kuvend pas betimit si president i Shqipërisë, deklaroi të dielën se gjatë mandatit pesëvjeçar, do të përmbushë detyrën e tij sipas normave të Kushtetutës, por nuk do të qëndrojë neutral.
Ai tha në Kuvendin e Shqipërisë se do të punojë për bashkëpunim me të gjitha forcat politike në vend, dhe se me vendosmëri “do të konsolidojnë shtetin e së drejtës, për t’i garantuar të drejtat e lirive të njeriut, sikurse e meritojnë qytetarët”.
Ai theksoi se e njeh punën e qeverisë dhe e mbështet atë të opozitës, duke shtuar se para konfliktit, gjithmonë para është bashkëpunimi.
Begaj shtoi se agresioni rus në Ukrainë e futi botën në një krizë, duke i zgjuar kujtimet e pasojave katastrofike që i prodhoi lufta.
Askush nuk mund të jetë i përjashtuar nga pasojat e saja, as Shqipëria dhe shqiptarët të cilët janë rreshtuar në anën e duhur përkrah aleatëve. Të kemi ndjenjën e përgjegjësisë dhe të respektojmë vendimet e organeve kompetente, e të mos përfitojmë nga situatat e vështira. Vetëm kështu interpretojmë qartë shpresat e qytetarëve tanë, të cilat me dhimbje duhet ta pranojmë se marrin goditje prej 32 vjetësh”, ka thënë Begaj.
Sipas presidentit të zgjedhur, Shqipëria evropiane sot është premtim e nesër realitet.
“Është kurora e ëndrrës më të bukur historike të popullit shqiptar dhe testamenti i ardhur prej historisë dhe bekimi i së ardhmes”, tha ai./ksp
Betohet presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj
Edhe zyrtarisht, Bajram Begaj, është betuar si president i ri i Shqipërisë.
Begaj u zgjodh president me 78 vota pro dhe katër kundër dhe një abstenim në kuvendin e Shqipërisë më 6 qershor.
Zgjedhjen e Begajt si president i Shqipërisë e ka kundërshtuar opozita atje, ku sipas tyre, kryeministri Edi Rama, tashmë e ka kapur edhe institucionin e fundit në vend.
Se ishin kundër Begajt u pa edhe në seancën solemne ku disa deputetë të opozitës nuk ishin të pranishëm.

