Të fundit

Gjykimi për korrupsion, ish-ministri Lluka dëgjohet si dëshmitar

Në gjykimin për korrupsion ndaj Bajram Hasanit, ish–ministër i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Faton Thaqit, ish-zëvendësministër i kësaj ministrie, Ragip Begajt, ish-kryetar i Komunës së Malishevës dhe nënkryetarit të kësaj komune, Hajdin Berisha, është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit Valdrin Lluka, ish-ministër i Ministrisë për Zhvillim Ekonomik.

Bashkë me ta po akuzohen edhe Bashkim Krasniqi, drejtor i Gjeodezisë në Komunën e Malishevës, Malë Krasniqi, shefi i Gjeodezisë në Komunën e Malishevës, Nazmi Kafexholli, inspektor i Agjencisë Pyjore të Kosovës dhe Ahmet Rrahmanaj, i cili po akuzohet për shpëlarje të parave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I pyetur nga prokurori special, Naim Abazi, ish-ministri Lluka ka pohuar se policia ka qenë në zyrën e tij për intervistim në lidhje me krijimin e Zonës Ekonomike në Malishevë.

I njëjti ka sqaruar se në mbledhjen e 50 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në parim nuk ka qenë kundër krijimit të një zone të re ekonomike, por që ka ngritur si çështje pse nuk po punohet për dy zonat veçse të shpallura.

Ish-ministri Lluka është përgjigjur me “jo nuk më kujtohet” për vlerën e shpronësimeve të tokave, nëse zona ekonomike ka qenë pronë private apo publike, apo nëse ka pasur propozim tjetër në lidhje me shpronësim te pronave ku është planifikuar zona ekonomike.

Tutje, Lluka ka sqaruar se çfarë është zona ekonomike dhe se për krijimin e një zone ekonomike sipas tij, nuk ka parakushte.

Ai gjithashtu ka thënë se krijimi i një zone ekonomike ka kosto por që duke qenë se Kosova ka sfida të mëdha lidhur me investime të huaja, sipas tij, lind nevoja e madhe për zona ekonomike.

Në këtë seancë është dëgjuar edhe Kushtrim Berisha, i cili tha se të akuzuarin Nazmi Kafexholli e ka mik.

Berisha ka thënë se ka marrë parcelë me qera nga Mustafë Hoxha, ndonëse të njëjtin nuk e kishte takuar asnjëherë dhe se për këtë biznes ka qenë ideja e djalit të Nazmi Kafexhollit, Nderimit, por për të aplikuar në emër të vetë atij Kushtrim Berishës.

“Nuk e kam pas naj ide përveç me i ndihmu Nderimit”, ka thënë dëshmitari Berisha.

Sipas tij, procesin e kishte udhëhequr Nderimi dhe se në atë vend kishte shkuar vetëm dy herë.

“Dy herë kam qenë në atë vend, njëherë e kam pa pjesën fillestare duke e lavruar dhe duke e përgatitur për pemishte, dhe pastaj hera e dytë pranimi teknik”, tha ai.

Në vazhdim Berisha ka thënë se ka njohuri se për këtë tokë janë marrë subvencione dhe se me sa i kujtohet ai personalisht e kishte dorëzuar dokumentacionin dhe se në fillim ka menduar se shuma ishte modeste.

Ai tha se shuma e fituar nga kompania e tij me sa i kujtohet ishte nga 45 deri në 50 mijë.

I pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Nazmi Kafexhollit, avokati Arbër Shala se nëse biznesi është hapur me qëllim që të aplikohet për grante, Berisha ka thënë se “po, për atë arsye është hapur biznesi”.

Po ashtu ka thënë se për hapje të biznesit nuk ka pasur asnjë presion përveç dëshirës për t’i ndihmuar Nderimit.

Ndërkaq, i pyetur në rimarrje nga prokurori Abazi nëse ka përfituar diçka pas zhvillimit të këtij aktiviteti, Berisha ka thënë “as s’kom investu as përfitu”.

Seanca e radhës lidhur me këtë çështje është caktuar për 14 shtator 2022.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 1 korrik 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Faton Thaqi, Nazmi Kafegjollii dhe Ahmet Rrahmani.

Sipas aktakuzës, Ragip Begaj, Hajdin Bersiha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Faton Thaqi, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtarë”.

Ahmet Rrahmanaj, akuzohet për veprën penale “Shpëlarje parave”, ndërsa Nazmi Kafexholli akuzohet edhe për veprën penale “Mashtrim”.

Sipas aktakuzës, Begaj akuzohet se në cilësinë e kryetarit të Komunës së Malishevës, në bashkëkryerje me ministrin e atëhershëm të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani dhe zëvendësministrin e kësaj ministrie, Faton Thaqi duke shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore kanë mundësuar shpronësimin në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik, duke e shpallur zonë me interes të veçantë.

Sipas aktit akuzues, Bashkim Krasniqi në cilësinë e Drejtorit për Gjeodezi dhe Kadastër, Malë Krasniqi në cilësinë e shefit të shërbimeve të Gjeodezisë, Hajdin Berisha në cilësinë e nënkryetarit të komunës dhe Faton Thaqi në cilësinë e zëvendësministrit, akuzohen se në bashkëkryerje nga periudha kohore 22 maj 2018 deri më 5 qershor 2018, varësisht nga pozitat, kanë shfrytëzuar autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat e tyre kanë mundësuar shpalljen e zonës me interes të veçantë ekonomik me qëllim të themelimit të Zonës Ekonomike në Komunën e Malishevës, në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik në mënyrë që të vazhdohej me procedurat e shpronësimit.

Tutje në aktakuzë thuhet se i akuzuari Malë Krsaniqi, pasi e kishte ditur për krijimin e Zonës Ekonomike, kishte blerë pronë në zonat kadastrale Banjë dhe Lladrovc me çmim prej 25 euro për ari, duke qenë në dijeni se këto prona do të shpronësohen nga Qeveria e Kosovës, e ku çmimi do të ishte shumë më i lartë.

Sipas aktakuzës i akuzuari Nazmi Kafexholli, akuzohet se në cilësinë e inspektorit në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, duke qenë në dijeni për krijimin e Zonës Ekonomike, dhe me qëllim që t’i rrit vlerën tokës, kishte marrë me qera pronën e të ndjerit M.H. ku kishte ngritur pemishte për çka kishte përfituar edhe grante nga Ministria e Bujqësisë.

Tutje, sipas aktit akuzues, Ahmet Rrahmanaj nga viti 2007 deri më 2013 në vazhdimësi duke e ditur se parcelat e tokës në pronësi shoqërore janë blerë dhe krijuar me aktivitete kriminale, ka transferuar dhe njëkohësisht ka tentuar të transferojë pronat me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës dhe shmangies nga pasojat juridike.

Në aktin akuzues thuhet se Rrahmanaj, ka privatizuar pronat e “Newco Mirusha” tokë bujqësore në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik në Komunën e Malishevës me çmim artificialisht të ulët 1,222,333.00 euro sipërfaqe prej 1,157 hektarë e 51 ari për 99 vite, për këtë i akuzuari më 11 korrik 2013 ka bërë bartjen e tokës në emër të personit tani të ndjerë M.H. si përfitues i tokës në sipërfaqe prej 203 hektar e 11 ari, ku për këtë transaksion, të akuzuarit i ishin transferuar 200 mijë euro në llogari bankare, mirëpo të njëjtat ia kishte kthyer të ndjerit M.H. dhe gjithë kjo ishte bërë me qëllim të kinse shitblerjes që kishte ndodhur në vitin 2007. /BetimipërDrejtësi

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci