Mediumi i njohur botëror Associated Press ka raportuar për marrëveshjen 202 milionëshe mes Kosovës dhe MCC-së.
Më poshtë gjeni artikullin e përkthyer të AP-së:
Kosova ka nënshkruar një marrëveshje prej 236.7 milionë dollarësh (242 milionë euro) me një agjenci qeveritare të Shteteve të Bashkuara për të mbështetur sektorin e saj të energjisë, për të promovuar pjesëmarrjen e grave dhe për të nxitur zhvillimin.
Zyra e Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani të enjten tha se marrëveshja me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit, ose MCC, është nënshkruar një ditë më parë në Kongresin Amerikan në Uashington.
“Sot, SHBA përmes MCC-së rikonfirmoi mbështetjen e patundur për republikën tonë të re dhe gatishmërinë për të na ndihmuar të avancojmë më tej në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik”, tha Osmani.
Ajo shtoi se ishte “investimi më i madh energjetik në vendin tonë për dekada” dhe do ta ndihmojë Kosovën të krijojë fleksibilitet dhe stabilitet në rrjetin elektrik duke mundësuar integrim më të madh të burimeve të ripërtëritshme.
Kjo marrëveshje gjithashtu do të zhvillojë aftësitë dhe do të forcojë angazhimin e grave në sektorin e energjisë dhe në tregun e punës.
Kosova, prodhimi i energjisë së së cilës kryesisht bazohet në thëngjill, po ballafaqohet me një krizë të thellë për shkak të rritjes së çmimit global të energjisë, edhe pse deri më tani ka rritur vetëm pak çmimin e energjisë për konsumatorët.
“Ky nënshkrim përfaqëson … angazhimin tonë për të punuar së bashku për të ndërtuar zgjidhje moderne dhe të qëndrueshme energjetike nga të cilat do të përfitojnë gati 2 milionë kosovarë,” tha drejtoresha e MCC-së Alice Albright.
Dy vjet më parë MCC-ja zbatoi një program tjetër prej 49 milionë dollarësh për të mbështetur Kosovën.
Kosova ishte pjesë e Serbisë derisa një kryengritje e armatosur në 1998-1999 nga popullsia shumicë etnike shqiptare shkaktoi një goditje të përgjakshme serbe. Një fushatë bombarduese e NATO-s për të detyruar trupat serbe të largoheshin nga Kosova i dha fund luftës.
Serbia refuzon të njohë shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, pavarësisht përpjekjeve më shumë se 11-vjeçare në ndërmjetësim nga Bashkimi Evropian.
