Laurit Krasniqi është përforcimi më i fundit i Kombëtares së Kosovës.
Futbollisti i Royal Antwerp në Belgjikë, u bashkua me “Dardanët” një ditë pasi shënoi ndaj Dritës në Ligën e Konferencës.
21-vjeçari që luan në pozitën e mbrojtësit të krahut të majtë, është takuar me kreun e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në prag të ndeshjes kundër Dritës të enjten dhe është zyrtarizuar sot si anëtari më i ri i kombëtares.
Kush është Laurit Krasniqi?
Historia e tij personale, sikurse e shumë shqiptarësh të Kosovës të lindur në fund të viteve 90′, përbën një rrëfim sakrifice dhe mosdorëzimi.
Krasniqi ka lindur në Kosovë, ndërsa sikurse shumë familje kosovare është detyruar të emigrojë drejt Belgjikës në kohën e luftës, raporton Paparaci. Futbollin, ëndrrën e tij të fëmijërisë, e kishte mësuar në kampet refugjate gjatë luftës.
“Kam mësuar të luaj futboll në kampet e refugjatëve”, ka thënë Krasniqi në një rrëfim personal për Nieuwsblad.be.
Sa i përket karrierës së tij, deri tash të shkurtër, reprezentuesi më i ri kosovar ishte pjesë e grupmoshave të reja te Antwerp, ndërsa me Antwerpin ka debutuar në fund të stinorit të kaluar.
Një “bingo” për Kosovën
Dalja në skenë e Krasniqit është sikurse një “bingo” për Kosovën, e cila vuan prej kohësh mungesën e një mbrojtësi të majtë.
Rekrutimi i tij vjen në një periudhë kur përpjekjet e FFK-së për gjetjen e një zëvendësuesi adekuat të Leart Paqaradës, ish-mbrojtësit të majtë të kombëtares që është suspenduar nga kombëtarja në kohën e Bernard Challandes, po bëheshin gati të paarritshme.
Por, një ndeshje e Ligës së Konferencës, mes Dritës nga Gjilani dhe Royal Antwerpit nga Belgjika, nxori në skenë mbrojtësin e ardhshëm të majtë të Kosovës.
Madje, paraqitja e tij në dy ndeshjet ndaj Dritës ishte vitale për skuadrën belge.
Krasniqi shënoi mbrëmë ndaj gjilanasve duke ia siguruar skuadrës së tij, Royal Antwerp kalimin tutje në rrethin e tretë kualifikues për UEFA Conference League.
