Zakonisht, banorët e Zvicrës kalojnë kufirin në vendet fqinje për të bërë pazar, pasi atje mallrat janë me çmime shumë më të volitshme. Blerjet ndërkufitare janë kaq të zakonshme në Zvicër saqë gjatë pandemisë duheshin vendosur kufizime.
Por kur bëhet fjalë për mbushjen e benzinës, kësaj radhe po ndodh e kundërta kjo pasi shoferët nga Gjermania janë në radhë në stacionet zvicerane për të furnizuar me karburant veturat e tyre.
Për shembull, njerëzit nga rajoni i Konstancës të Gjermanisë vijnë në Kreuzlingen aty pranë, në kantonin Thurgau, për të mbushur dhe kursyer 20 cent për litër karburant pa plumb.
“Edhe një herë, ne po shohim një rritje të klientëve nga përtej kufirit”, tha menaxheri i një pike karburanti lokale për gazetën gjermane Südkurier.
Ndërsa diferenca e çmimeve midis Gjermanisë dhe Zvicrës ka dërguar shumë shoferë në jug, nuk është rasti i njëjtë në Francën fqinje, ku kostot e karburantit janë afërsisht të ngjashme me ato në Zvicër.
