Pas gati 24 orësh, Ministria e Kulturës është sqaruar lidhur me financimin e “Fondacioni Lumbardhi”, një organizate jo-qeveritare të cilën e kishte bashkë-themeluar ministri aktual Hajrulla Çeku.
Ministria, ka mohuar ndikimin e ministrit Çeku në subvencionimin e organizatës jo-qeveritare “Fondacioni Lumbardhi” në fushën e trashëgimisë kulturore e cila që prej se ai është zgjedhur ministër ka arkëtuar plotë 95 mijë euro ndihmë financiare nga shteti.
Sipas Ministrisë së Kulturës, Çeku “as nuk ka ndikuar dhe as ka fare nevojë të ndikojë në mbështetjen e një organizate aq të dëshmuar që rregullisht përfiton fonde edhe nga donatorët e jashtëm”.
Në anën tjetër u tha se ministri Çeku ka udhëhequr nismën e shoqërisë civile për mbrojtjen e kinemasë Lumbardhi në Prizren nga viti 2007, e cila ka synuar të shpëtojë këtë kinema nga privatizimi, dhe eventualisht rrënimi apo ndryshimi i destinimit kulturor.
“Pas suksesit të kësaj nisme të gjatë të shoqërisë civile dhe për të ofruar një model menaxhimi për këtë hapësirë, një nga veprimet e asaj kohe ka qenë themelimi i organizatës ‘Fondacioni Lumbardhi’ në vitin 2015, ku ministri Çeku ka qenë njëri nga pesë bashkëthemeluesit, ndërsa deri në angazhimin e tij në qeverinë e Republikës së Shqipërisë ka shërbyer si anëtar bordi i kësaj organizate”.
Paparaci raportoi të martën se “Fondacioni Lumbardhi” që nga shtatori kaluar e deri më 18 gusht të këtij viti është subvencionuar nga MKRS-ja me plotë 95 mijë euro.
Pavarësisht se ministri Çeku ishte një prej themeluesve të saj, MKRS-ja thotë se nuk ekziston asnjë konflikt interesi në këtë rast.
MKRS tregoi se i shqyrton me kujdes çdo dimension të rëndësishëm që ruan dhe respekton ligjshmërinë dhe integritetin “si dy parime kyçe të funksionimit të kësaj qeverie”.
“Nuk ekziston asnjë konflikt interesi në këtë rast. Ministri Çeku, nga korriku i vitit 2017 nuk është pjesë e Fondacionit Lumbardhi, ndërkohë që siç është përmendur më lartë, ligji parashikon ndalesë në një periudhë prej dy (2) vitesh, pavarësisht se madje kompetencat funksionale të Ministrit, nuk shtrihen fare mbi vendimmarrjen e komisioneve profesionale që shqyrtojnë dhe vendosin mbi aplikimet e palëve”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së, dërguar Paparacit mëngjesin e së mërkurës.
Sipas MKRS-së, Fondacioni Lumbardhi është një ndër organizatat më aktive të kulturës dhe trashëgimisë kulturore në Kosovë, teksa u shtua se përveç si hapësirë kulturore, e gjithë ndërtesa është edhe aset i mbrojtur i trashëgimisë kulturore.
“Fondacioni Lumbardhi, që nga viti 2016 është përfitues i rregullt ndër vite i mbështetjes publike, qoftë nga fondet e ministrisë, qoftë ato komunale, ndërsa organizata gëzon mbështetje serioze edhe nga donatorët e jashtëm. Pra, kjo organizatë ka gëzuar mbështetje financiare nga fondet publike edhe para emërimit të ministri Çeku në pozitën që mban sot”.
Organizata që një prej themeluesve të saj ka Hajrulla Çekun që nga viti 2016 ka përfituar 196,200 euro nga fondet publike.
Në mesin e tyre, 170,400 euro vinë nga Ministria e Kulturës, apo pak më shumë se gjysma me të cilën e fitoi vetëm në kohën kur me këtë ministri po udhëheq Çeku.
Reagimi i plotë i MKRS-së:
Fillimisht, ne konsiderojmë që janë ndërlidhur dy përfundime që nuk kanë lidhje me njëra tjetrën. E para, kjo organizatë ka fituar fonde edhe para se Ministër i Kulturës të jetë z. Hajrulla Çeku dhe së dyti, bashkëpunimi i z. Çeku me organizatën ka mbi pesë (5) vite që nuk është aktiv ndërkohë që ligjet në fuqi në këto situata e saktësojnë periudhën dy (2) vjeçare si kusht për të parandaluar një raport të ndërlidhur në kohën e shkuar me një gjendje aktuale juridike të ekzistimit të funksioneve publike.
Gjithashtu ne na duhet të konstatojmë një shkallë të papranueshme profesionalizmi. Pyetjet i keni dërguar dje, pra me datë 23 gusht 2022 në orën 10.00 të mëngjesit, ndërsa artikullin e keni publikuar të njëjtën ditë vetëm mbas disa ore, duke mos na dhënë kohë të mjaftueshme për përgjigje e madje duke na akuzuar në artikull kinse Ministria ka heshtur. Duke e dënuar rëndë këtë veprim tuajin dhe nga ju kërkojmë që ta publikoni edhe këtë pjesë të reagimit tonë si dhe përgjigjet tona të plota. Gjeni më poshtë përgjigjet tona për të gjitha pyetjet që i keni dërguar dje në orën 10.00 të mëngjesit.
Subvencionimi i organizatave të shoqërisë civile dhe individëve rregullohet me Rregulloren e veçantë që parasheh kriteret dhe rregullat e mbështetjes financiare përmes subvencioneve. Sipas kësaj Rregulloreje, procesi nga shpallja e thirrjeve publike për subvencionim e deri te vlerësimi i aplikimeve dhe shpallja e rezultateve udhëhiqet nga komisionet e veçanta që në përbërje kanë zyrtarë të administratës publike dhe profesionistë të jashtëm e përfaqësues të komunitetit.
Në asnjë nga hapat e procesit të subvencionimit të organizatave dhe individëve nuk ka përfshirje të ministrit apo të stafit politik të ministrisë. Si drejtues politik i ministrisë, ministri në bashkëpunim me stafin civil të ministrisë rezervon të drejtën të përcaktojë politikën e subvencionimit të ministrisë, për të reflektuar synimet, objektivat dhe kahet zhvillimore që përcaktohen në programin e qeverisë dhe programin e ministrisë përkatëse.
Mirëpo, të gjitha vlerësimet për mbështetje të organizatave dhe individëve realizohen përmes thirrjeve publike dhe komisioneve të veçanta të administratës, ku marrin pjesë edhe profesionistë të jashtëm. Ndërkohë që ligji në fuqi në Republikën e Kosovës, që e rregullon sferën e parandalimit të konfliktit të interesave, kohëzgjatjen e papajtueshmërisë së raporteve ligjore e shtrinë në një periudhë prej dy (2) vitesh, pavarësisht se madje kompetencat funksionale të Ministrit, nuk shtrihen fare mbi vendimmarrjen e komisioneve profesionale që shqyrtojnë dhe vendosin mbi aplikimet e palëve, gjë e cila, nga pyetja që është parashtruar, shihet se nuk është marrë parasysh.
Ministri Çeku ka qenë pjesë e shoqërisë civile mbi 15 vjet, deri në tetor të vitit 2017 kur ka pranuar detyrën e zëvendës ministrit të turizmit dhe mjedisit në qeverinë e Republikës së Shqipërisë. Gjatë karrierës së tij të gjatë në shoqëri civile, ministri Çeku ka qenë pjesë e shumë nismave, programeve, projekteve dhe organizatave të shoqërisë civile në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore në kapacitete të ndryshme, qoftë si nismëtar, themelues, anëtar bordi, anëtar Kuvendi, drejtor ekzekutiv, staf profesional, konsulent, bashkëpunëtor i jashtëm apo tjetër.
Ministri Çeku ka udhëhequr nismën e shoqërisë civile për mbrojtjen e kinemasë Lumbardhi në Prizren nga viti 2007, e cila ka synuar të shpëtojë këtë kinema nga privatizimi, dhe eventualisht rrënimi apo ndryshimi i destinimit kulturor.
Pas suksesit të kësaj nisme të gjatë të shoqërisë civile dhe për të ofruar një model menaxhimi për këtë hapësirë, një nga veprimet e asaj kohe ka qenë themelimi i organizatës “Fondacioni Lumbardhi” në vitin 2015, ku ministri Çeku ka qenë njëri nga pesë bashkëthemeluesit, ndërsa deri në angazhimin e tij në qeverinë e Republikës së Shqipërisë ka shërbyer si anëtar bordi i kësaj organizate.
Natyrisht se MKRS shqyrton me kujdes çdo dimension të rëndësishëm që ruan dhe respekton ligjshmërinë dhe integritetin si dy parime kyçe të funksionimit të kësaj qeverie. Nuk ekziston asnjë konflikt interesi në këtë rast.
Ministri Çeku, nga korriku i vitit 2017 nuk është pjesë e Fondacionit Lumbardhi, ndërkohë që siç është përmendur më lartë, ligji parashikon ndalesë në një periudhë prej dy (2) vitesh, pavarësisht se madje kompetencat funksionale të Ministrit, nuk shtrihen fare mbi vendimmarrjen e komisioneve profesionale që shqyrtojnë dhe vendosin mbi aplikimet e palëve.
Fondacioni Lumbardhi është një ndër organizatat më aktive të kulturës dhe trashëgimisë kulturore në Kosovë. Përveç si hapësirë kulturore, e gjithë ndërtesa është edhe aset i mbrojtur i trashëgimisë kulturore. Fondacioni Lumbardhi, që nga viti 2016 është përfitues i rregullt ndër vite i mbështetjes publike, qoftë nga fondet e ministrisë, qoftë ato komunale, ndërsa organizata gëzon mbështetje serioze edhe nga donatorët e jashtëm. Pra, kjo organizatë ka gëzuar mbështetje financiare nga fondet publike edhe para emërimit të ministri Çeku në pozitën që mban sot.
Një nga projektet e Ministrisë së Kulturës, në bashkëpunim me Bashkimin Europian (fondet IPA) dhe Komunën e Prizrenit është edhe revitalizimi i kinemasë Lumbardhi, një projekt i madh restaurimi që do të shtojë vlerë dhe ofrojë kushte shtesë për komunitetin kulturor të Prizrenit dhe Kosovës, duke siguruar edhe mbrojtje efektive të vlerave të trashëgimisë kulturore.
Pra, Ministria e Kulturës ka vëmendje të veçantë ndaj këtij aseti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore, dhe njëherit ofron edhe mbështetje përmes subvencioneve edhe për pjesën programore dhe të aktivitet që aktualisht menaxhohet nga Fondacioni Lumbardhi. Gjithashtu, Ministria e Kulturës është duke punuar intensivisht për fuqizimin e kinemasë Lumbardhi dhe kinemave të tjera publike në Kosovës në synimin për të themeluar Rrjetin e Kinemave të Kosovës, që është një nga zotimet programore të kësaj ministrie.
Pra, Ministri Çeku as nuk ka ndikuar dhe as ka fare nevojë të ndikojë në mbështetjen e një organizate aq të dëshmuar që rregullisht përfiton fonde edhe nga donatorët e jashtëm.
Rreth 100 mijë euro të shtetit për organizatën e bashkë-themeluar nga ministri
