Të fundit

Qeveria legalizon dokumentet e strukturave paralele

Serbia, për vite rresht, ka lëshuar letërnjoftime për banorë serbë të komunave të Kosovës. Njëjtë ka vepruar edhe me targa të automjeteve e të cilat Kosova i konsideron si ilegale. Nga e enjtja shteti u ka dhënë afat dymujor serbëve që t’i konvertojnë në RKS targat ilegale. Por, nuk ka vepruar njëjtë me letërnjoftimet. Njohësit thonë se ky mund të jetë kompromis i Qeverisë Kurti.
Mijëra qytetarë serbë që jetojnë në Kosovë janë të pajisur me letërnjoftime të lëshuara nga Serbia.

Këto dokumente i ka lëshuar fqinji verior për banorë të komunave të Kosovës, si: Graçanicë, Shtërpcë, Mitrovicë Veriore e qytete të tjera.

Njëjtë ka vepruar edhe me targa të automjeteve e të cilat Kosova i konsideron si ilegale. E, nga e enjtja shteti u ka dhënë afat dymujor qytetarëve serbë që t’i konvertojnë në RKS targat e lëshuara nga Serbia.

Në Zyrën e Kryeministrit nuk kanë treguar të premten nëse do të veprohet ngjashëm me letërnjoftimet, sikur edhe me targat.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, thotë se Qeveria duhet ta adresojë çështjen edhe në BE dhe të mos lejojë qarkullimin e këtyre dokumente ilegale.

“Problem janë dokumentet serbe apo dokumentet e serbëve të Kosovës, të cilat lëshohen në Serbi nga institucionet ilegale të Serbisë apo ato të Serbisë që kanë qenë në Kosovë. Këto janë dokumente ilegale dhe është vepër penale çdo person që kalon pikën kufitare me këto dokumente”, ka thënë Arifi.

Tek nga kjo e enjte Serbia ka nisur t’i njohë letërnjoftimet e Republikës së Kosovës. Beogradi zyrtar mori këtë vendim pasi Qeveria e Kosovës vuri masën e reciprocitetit, që nënkuptonte mosnjohjen e letërnjoftimeve të Serbisë.

Drejtori i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Visar Ymeri, konsideron se në negociatat e muajit të fundit, për t’i dhënë zgjidhje problemit, Kosova mund ta ketë bërë si kompromis pranimin e letërnjoftimeve ilegale me të cilët Serbia i ka pajisur qytetarët serbë të Kosovës.

“Këto janë dokumentet ilegale. Atë që e thoshte presidenti i Serbisë që arritëm ta ruajmë Serbinë në Kosovë përmes kësaj marrëveshjeje, që po duket që ka qenë më shumë marrëveshje gojore sesa që ka diçka të shkruar. Mendoj që e ka pasur për këto, sepse e vetmja formë që, sipas Vuqiçit, Serbia vazhdon me qenë në Kosovë është përmes lëshimit të këtyre dokumenteve në emër të komunave që i takojnë Republikës së Kosovës. Duket që mbase kjo është një pjesë e kompromisit”, ka thënë Ymeri.

Që nga 1 shtatori më shumë se 4 mijë serbë kanë hyrë në Kosovë. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë lënë të kuptohet se përpos me letërnjoftime valide, serbët mund të futen edhe me dokumente të tilla, për të cilat palët janë dakorduar në kuadër të procesit të dialogut.

“Referuar kërkesës suaj, ju informoj se në territorin e Republikës së Kosovës mund të hyjnë të gjithë qytetarët me dokumentacion të udhëtimit valid dhe që i plotësojnë kriteret konform ligjeve të RKS-së, si dhe marrëveshjeve aktuale në fuqi”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

As kryeministri Albin Kurti nuk ka precizuar se si do të veprohet me letërnjoftimet ilegale të Serbisë, kur këtë javë është pyetur nga gazetarët.

“Dokumentet e Serbisë janë dokumente të Serbisë, unë e nuk e di se si i kanë nxjerrë krejtësisht ato dokumente, por e di një gjë: që ka qytetarë të Kosovës që e kanë dokumentin e Serbisë. Tash varet qytetari serb i Kosovës se cilin dokument vendos që ta tregojë në kufi”, ka thënë Kurti.

Përpos targave dhe letërnjoftimeve që lëshon për serbë të Kosovës, Serbia mban ilegalisht edhe shumë struktura të saj në shtetin të cilin vazhdon ta konsiderojë krahinë të veten. /koha.net

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci