“Duket se oferta perëndimore për zgjidhjen e çështjes së Kosovës do të jetë modeli i dy Gjermanive me krijimin e Asociacionit, por, me kompetenca ndryshe nga ajo e marrëveshjes”, ka deklaruar kryetari i komisionit parlamentar serb për Kosovën, Millovan Drecun.
Pas vizitës në Kosovë, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, dhe këshilltarët për politikë të jashtme dhe të sigurisë të Francës dhe Gjermanisë, Emanuel Bonn dhe Jens Pletner do të vizitojnë edhe Serbinë, raportojnë mediat serbe.
Sipas shërbimit për shtyp të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, takimi do të mbahet në orën 18:00 në vilën “Paqja”, pas të cilit do të dërgohet një komunikatë për media, transmeton Paparaci.
Ndërsa Drecun, ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug” se ardhja e Lajçakut me këshilltarët specialë të presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz duket si marrja e qëndrimeve për të marrë pjesë në zgjidhjen e çështjeve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Më duket se së shpejti do të vijë çështja kryesore, ajo është çështja e statusit, dhe se tani janë duke u bërë përgatitjet e personelit të vendeve kryesore evropiane, që të merren pozicionet për të marrë pjesë në zgjidhjen përfundimtare që çështjes së statusit të Kosovës”, ka thënë Drecun.
Drecun ka theksuar se duket se oferta perëndimore për zgjidhjen e çështjes së Kosovës do të jetë ende model i dy Gjermanive me krijimin e Asociacionit, por, me kompetenca ndryshe nga ajo e marrëveshjes por që do të jetë i kornizuar në aspektin gjeografik.
Ndoshta ky do të jetë propozimi i fundit i Perëndimit për palën tonë, thotë Drecun.
Para takimit me Vuçiqin, emisarët do të bisedojnë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë./Paparaci
