Presidenti serb Aleksandar Vuçiq mbrëmë në përfundim të debatit në Kuvendin e Serbisë, dhe para votimit të Raportit për procesin negociator me Kosovën, iu drejtua edhe një herë popullit dhe deputetëve, kryesisht duke u ankuar për atë se çfarë e pret Serbinë në periudhën e ardhshme.
Ai tha se pret nisma të ndryshme në procesin e Berlinit dhe se javët në vijim do të jenë shumë të vështira dhe serioze për Serbinë, transmeton Paparaci.
“Mjafton të dëgjoni fjalët e kryeministrit belg se ekonomia evropiane do të shembet. Nëse ekonomia evropiane shembet, atëherë mund ta imagjinoni se në çfarë gjendje do të jetë ekonomia jonë. Ajo që ju propozoni është shumë larg nga realiteti, nga ajo që duan shqiptarët, dhe edhe më larg nga ajo që duan në Perëndim”, ka pretenduar Vuçiq.
Përkundër të gjithave ai ka pretenduar se “do të luftojë më fort dhe më fuqishëm për mbrojtjen e Kosovës sesa të gjithë ata që rrahin gjoks këtu”.
“Gjashtë muajt e ardhshëm, pak më shumë se gjashtë muaj e gjysmë do të jenë më të vështirat për Evropën pas Luftës së Dytë Botërore në tërësi. Për ne, ndoshta jo më i vështiri, por do të jetë një nga vitet më të vështira për qytetarë të Serbisë që nga viti 1945. Unë nuk jam i qetë dhe pres që pas presioneve bazë të vijnë ato të kategorive më të rënda. Besoj se do të mund të flas më shumë për këtë kur të kthehem nga Nju Jorku, sepse kam 22 takime me krerët e shteteve dhe qeverive. Na presin ditë të vështira dhe për fat të keq aktorët politikë këtu nuk e kuptuan sa duhet, e as skena jonë shoqërore”, ankohet Vuçiq.
Ai ka thënë se “nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës as në mënyrë të drejtpërdrejtë e as tërthorazi”.
Ai pretendon se kjo nënkupton që plani i Evropës është që Serbia të pranojë që Kosova të anëtarësohet në OKB.
“Gjendemi në mes të goditjeve nga të gjitha anët” ka thënë Vuçiq./Paparaci
