Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se takimi me këshilltarin e presidentit amerikan për siguri kombëtare, Joe Biden, Jake Sullivan, ka qenë një nga takimet më të rëndësishme që ka pasur në ShBA.
Sipas tij, Sullivan është njeriu i dytë më i rëndësishëm në ShBA dhe se një nga temat ishte edhe çështja e Kosovës, transmeton Paparaci.
Ai u tha gazetarëve se biseda ishte e hapur dhe e sinqertë dhe “se kur është kështu duhet të sjellë përfitime”.
“Kemi biseduar për të gjitha çështjet e rëndësishme, për Kosovën, për rajonin. Është e rëndësishme, jemi njohur, ai është e ardhmja e politikës amerikane. Takimi zgjati shumë, biseduam edhe për ekonominë, çështjet politike, aspiratat e Serbisë në rajon, Kosovën. Nuk është e lehtë të arrihet një marrëveshje. Biseda ishte e hapur dhe e sinqertë, dhe kur bëhet një bisedë e tillë, gjithmonë duhet të sjellë ndonjë përfitim”, u tha Vuçiq gazetarëve.
Vuçiq thotë se Sullivan është në një pozitë të tillë që ai vendos për çështje kyçe në botë.
