Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka treguar se nëse deri në fund të këtij viti do të shkojë për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Unë do të ju njoftoj kur ta kem vizitën zyrtare në SHBA, mirëpo ne bashkë me Presidenten dhe kryetarin e Kuvendit rregullisht koordinohemi për këtë gjë” tha Kurti të martën.
Pos kësaj Kurti pohoi se raportet Prishtinë-Uashington janë të forta dhe se aleanca me tyre nuk mund të dëmtohet. ”Nuk kemi asnjë mospajtim me Amerikën” shtoi ai.
E sa për zhvillimet rreth pjesëmarrjes së Kosovës në Samitin e Demokracive që e organizon presidenti Joe Biden, ku shteti njëherë nuk u ftua por më pas ftesa megjithatë erdhi, kryeqeveritari shtoi se “Ftesa shumë mirë që erdhi por edhe mos të ndodhte kjo ftesë nuk thotë gjë për aleancën dhe partneritetin tonë”.
Kryeministri i Kosovës e ka pranuar se reagimet që erdhën nga disa palë por edhe vizita e presidentes Vjosa Osmani në Uashington bëri që Kosova të ftohet në Samit i cili mbahet virtualisht me 9 dhe 10 dhjetor.
