Nën hijen e luftës në Ukrainë, javën e kaluar u mbajt Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Një nga mesazhet kryesore ishte se Këshilli i Sigurimit ka nevojë për reforma ndërsa vetoja të ketë një kufizim. Kievi, Uashingtoni dhe Brukseli ishin të drejtpërdrejtë – Rusisë duhet t’i mohohet anëtarësimi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Analistët serbë pretendojnë se, “ky mund të jetë fillimi i fundit si për Këshillin e Sigurimit ashtu edhe për Kombet e Bashkuara”, raporton televizioni publik serb RTS.
“E drejta e vetos është e drejtë e fitimtarit dhe atë të drejtë e kanë krijuar fitimtarët së bashku për të siguruar interesat e tyre dhe paqen ndërkombëtare, ashtu siç u përshtatet atyre. Nëse kjo u merret, atëherë e gjithë arkitektura e ruajtjes së paqes dhe sigurisë në botë papritmas do të dëmtohet, nëse jo edhe plotësisht të rrënohet, kjo nuk i përshtatet askujt”, ka thënë ish-ministri i jashtëm i Millosheviqit, Vlladislav Jovanoviq.
Në Nju Jork, u dëgjua edhe interpretimi se Moskës mund t’i kontestohet se është pasardhësi i drejtpërdrejtë i Bashkimit Sovjetik në OKB.
“Duhet kujtuar se themeluesit e OKB-së, përveç Bashkimit Sovjetik, ishin edhe Bjellorusia dhe Ukraina, megjithëse në atë kohë ata ishin pjesë e BRSS si republika federative, për shkak të dëshirës së veçantë të liderit të atëhershëm të BRSS, Stalinit, për të pasur një kontroll më të madh në votim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, për të pasur më shumë vota, gjë që bëri që disa politikanë ukrainas të propozojnë pse Ukraina nuk duhet të marrë pozicionin e Rusisë në Këshillin e Sigurimit, sepse edhe ajo është anëtare themeluese dhe pasardhëse ligjore e BRSS”, shpjegon Mihajllo Vuçiq nga Instituti serb për Politikë Ndërkombëtare dhe Ekonomi, transmeton Paparaci.
Sidoqoftë, pas rënies së BRSS, Rusia u pranua si pasardhëse ligjore.
“Ky nuk nuk ka qenë rezultat i ndonjë marrëveshjeje ndërkombëtare midis Rusisë dhe shteteve të tjera pasardhëse të Bashkimit Sovjetik, por presidenti i atëhershëm i Rusisë, Boris Jeltsin, e informoi OKB-në për këtë dhe ata e morën parasysh. Rusia atëbotë mori përsipër të respektojë integritetin territorial dhe sovranitetin e shteteve të tjera pasardhëse të BRSS dhe Kartën e OKB-së. Shumë teoricienë të së drejtës ndërkombëtare sot pohojnë se duke qenë se Rusia e ka shkelur këtë, i ka shkelur detyrimet e saj si shtet i vazhdimësisë në raport me BRSS”, shtoi Vuçiq.
A mundet një shumicë prej dy të tretash në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të anashkalojë veton?
Nga 193 vende, asnjë nuk është përjashtuar ndonjëherë nga anëtarësimi, edhe pse Karta e OKB-së e parashikon këtë mundësi. Rusia mund ta përjetonte këtë, vetëm nëse nuk do të vendos veto ndaj përjashtimit të vet. A është e mundur që kjo të zëvendësohet me një shumicë prej dy të tretash të anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme – një rast i tillë u regjistrua në fillim të Luftës Koreane në vitin 1951.
“Nëse bëhet kjo, do të ishte fillimi i fundit të punës së Këshillit të Sigurimit, dhe rrjedhimisht të OKB-së. Themeli do të dëmtohej, sepse kjo do të ishte që nga një përjashtim të krijohet rregulli. Përjashtimi disi edhe mund të kalojë, por nëse bëhet rregull, atëherë e zhvlerëson të gjithë projektin e OKB-së, nuk besoj se shumica do të pajtohet me këtë”, ka pretenduar Vlladisllav Jovanoviq.
Propozimet për reformat e OKB-së janë dëgjuar disa herë në dy dekadat e fundit, më shpesh gjatë krizave të mëdha ose kur disa shtete mendonin se e kishin tejkaluar rëndësinë që kishin kur u formua kjo organizatë. Në vitin 2005, Gjermania ishte shumë afër të bëhet anëtare e përhershme në Këshillin e Sigurimit. Kur ajo përpjekje dështoi, askush më nuk përmendi karriget e planifikuara për Japoninë, Brazilin dhe Indinë./Paparaci
