Partia Socialdemokrate ka dalë me disa propozime se si të trajtohet Lugina e Preshevës në se dialogun Kosovë – Serbi.
“Adresimi në mënyrë të drejtë, çështja e Luginës së Preshevës, duhet të jetë pjesë e dialogut Kosovë – Serbi. Jo të përdoret si instrument për lëshim pe ndaj veriut ose kushtëzime nën nocionin arkaik të reciprocitetit, por si nevojë që qytetarët e Luginës kanë për jetë shoqërore e politike, për mirëqenie e siguri. Për barazi”, thuhet në një komunikatë të PSD-së.
Sipas PSD-së, që Lugina “të pushojë së përdoruri politikisht, ajo duhet të përfundojë si temë”. Sipas kësaj partie, ripërcaktimi i kufitir është zgjidhja e duhur politike dhe e vetmja që krijon kushte për marrëdhënie të tjera me Serbinë.
“Që Lugina të pushojë së përdoruri politikisht, ajo duhet të përfundojë si temë. Ripërcaktimi i kufirit është zgjidhja e duhur politike dhe e vetmja që krijonë kushte për marrëdhënie të tjera me Serbinë. Pa ndryshuar këto marrëdhënie, vështirë të mendohet për zhvillim e mirëqenie. Por për një fillim të tillë duhet shkëputje e thellë. E qartë. Pa nënkuptime. Ripërcaktimi i kufirit është rivendosje e raporteve tjera në mes vete dhe me fqinjtë. Me të ardhmen dhe me historinë. Ky ishte vullneti i shprehur në takimet e zhvilluara në Luginë, me qytetarë, aktivistë dhe politikanë shqiptarë.”
PSD thotë se “nëse ka një autostradë që duhet ta gëzojë statusin e urgjencës është ajo e Bujanocit”.
“Ndërtimi i autostradave, sidomos në kohë të vështirësive ekonomike e politike globale, duhet të racionalizohet në atë mënyrë që theksi të jetë tek nevojat e tanishme. Nëse ka një autostradë që duhet ta gëzojë statusin e urgjencës është ajo e Bujanocit. Pra, ndërtimi i autostradë së Bujanocit duhet të bëhet me shpejtësi e prioritet. Nga çka kemi parë, përditshmëria e qytetarëve shqiptarë në Luginë preket direkt nga ky investim.”
PSD kërkon që të rritet buxheti që Qeveria e Kosovës ndan për nevojat ë Luginës.
“Të rritet ndjeshëm buxheti që qeveria e Kosovës ndanë për nevojat e Luginës. Ajo nuk duhet cilësuar si ndihmë, por si detyrë. Fuqizimi ekonomik e politik i Luginës është domosdoshmëri, ndërsa bashkimi me Kosovën zgjidhje adekuate për qytetarët e dy vendeve.”
