Kombëtarja e Kosovës U17 e ka mbyllur me barazim turneun kualifikues të Grupit 8 për Kampionatin Evropian 2023, duke u renditur e fundit në grup me vetëm një pikë.
Pas humbjes nga Italia në ndeshjen e parë (2:5) dhe më pas nga Greqia (0:5), Dardanët U17 të drejtuar nga Arsim Abazi barazuan 1:1 në stadiumin “Fadil Vokrri” në duelin e fundit kundër Finlandës.
Ky rezultat ia mundësoi Finlandës të kualifikohet tutje bashkë me Italinë, derisa Greqia (sot pësoi humbje nga Italia 0:2) dhe Kosova i mbyllën garat kualifikuese në rrethin e parë.
Kosova kaloi në epërsi qysh më minutën e 6-të, me golin e Luan Lleshit nga penalltia. Në pjesën e parë Dardanët U17 patën edhe disa mundësi të mira, por nuk u treguan të shkathtë para portës rivale.
Ndërkaq, në pjesën e dytë Finlanda ishte më këmbëngulëse në kërkim të golit, ngase barazimi i nevojitet për t’u kualifikuar tutje. Dhe këtij qëllimi ata ia arritën tre minuta para përfundimit të ndeshjes, kur Aapo Bostrom shënoi nga afërsia pas një rrëmuje para portës.
Italia e mbylli këtë turne kualifikues në pozitën e parë me 9 pikë, Finlanda doli e dyta me 4 pikë, Greqia e treta me 3 pikë dhe Kosova e fundit me 1 pikë.
