Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka deklaruar se janë duke bërë shumë reforma strukturore për të lehtësuar të bërit biznes, me politikat dhe ligjet e reja për të nxitur dhe mbrojtur investimet nga diaspora dhe më gjerë në Kosovë, gjersa me analiza të mirëfillta kanë identifikuar potencialin e industrisë sonë, për më shumë vende pune dhe rritje të konkurrueshmërisë.
Ajo i bëri këto komente gjatë Panairit të Bizneseve Shqiptare në Austri, të organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve të Diasporës Shqiptare.
Hajdari ka thënë se me bashkëpunim të mirë dhe duke plotësuar njëri-tjetrin, sjellin vlerë të shtuar për produktet vendore, për të qenë edhe më shumë pjesëmarrës në zinxhirin e vlerës në rajon dhe me gjerë.
“Diaspora jonë është pasuria më e vërtetë në zonat ku ajo banon, sepse sjell me vete jo vetëm mbështetjen financiare, por edhe kapitalin njerëzor me transferim të njohurive, kulturës, arkitekturës perëndimore dhe të tjera, prandaj janë forca lëvizëse e ekonomisë sonë. Gjatë mandatit tonë qeverisës, jemi duke bërë shumë reforma strukturore për të lehtësuar të bërit biznes, me politikat dhe ligjet e reja për të nxitur dhe mbrojtur investimet nga diaspora dhe më gjerë në Kosovë, gjersa me analiza të mirëfillta kemi identifikuar potencialin e industrisë sonë, për më shumë vende pune dhe rritje të konkurrueshmërisë. Dhe, duke pasur parasysh lëvizjet e fundit globale, me nevojat e bizneseve për rialokimet e reja në Evropën Juglindore, studimet nga Austria theksojnë se Republika e Kosovës ofron përparësi të mëdha për investime për bizneset nga Evropa dhe më gjerë” shtoi Hajdari.
Ndër shumë përparësi të tjera, ajo theksoi potencialin e të rinjve inovativ, me aftësi digjitale dhe kompetencën për prodhim në sektorë të ndryshëm industrialë, siç janë: sektori i drurit, industrisë metalike, industrisë jo metalike, plastikës, tekstilit, kimike, pijeve e ushqimit etj. Ajo riktheskoi se me proaktivitetin e bizneseve me kompetencë dhe me inteligjencë të lartë të resurseve njerëzore dhe me pasuritë natyrore, do të mund të prodhohen produkte me vlerë të shtuar, për të qenë pjesë e zinxhirit të vlerës në tregun global dhe për të ofruar punësim të denjë për të rinjtë.
Hajdari tha se gjersa diaspora ka ruajtur e ndihmuar gjithmonë shtetin, Qeveria është duke punuar për sundimin e ligjit në vend dhe duke krijuar një mjedis të favorshëm për të nxitur dhe mbrojtur investimet nga diaspora, me qëllim për të shfrytëzuar sa më shumë hyrjet e mëdha të remitencave nga diaspora.
