Një punonjëse e Autoritetit Britanik të të Ardhurave dhe Doganave iu desh të shkonte në gjykatë pasi u pushua nga puna pas një debati me shefin e saj për katër ditë pushim.
Elaine Worsley, e cila ka punuar në Revenue dhe Dogana për 45 vjet, u grind me shefen Linda Marrisson kur kërkesa e saj për pushimin e Vitit të Ri u refuzua.
Worsley thotë se ka mbetur në ankth për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve të tyre të punës dhe se më vonë ka pasur tendenca vetëvrasëse.
Kërkesa e saj për t’u transferuar në një ekip tjetër u refuzua dhe ajo u shkarkua shpejt.
Në seancën para gjykatës në Mançester, Worsley tha se ajo ka punuar në administratë që nga mbarimi i shkollës në vitin 1970, dhe se ajo dhe shefi i saj kanë qenë në marrëdhënie të shkëlqyera deri në vitin 2014, madje i kanë blerë njëri-tjetrit çokollata dhe lule.
Megjithatë, marrëdhënia e tyre u përkeqësua kur kërkesa e saj për të marrë katër ditë pushim gjatë Krishtlindjes, përfshirë natën e Vitit të Ri, për të shkuar në Uells u refuzua.
Gjykatësi i Marrëdhënieve Industriale Anthony Ross vendosi në favor të Worsley duke thënë se shefi i saj kishte një “mungesë emocioni” dhe nuk arriti të dallonte shenjat e mundshme të depresionit dhe përkeqësimit të shëndetit mendor.
“Worsley pati një karrierë jashtëzakonisht të gjatë prej mbi 40 vjetësh. Ajo ka munguar rrallë në punë dhe besojmë se një punëdhënës i përgjegjshëm nuk do ta largonte nga puna në një situatë të ngjashme”, tha gjyqtarja.
Përveç kësaj, Ross theksoi se ai nuk kishte marrë një shpjegim se pse Worsley nuk mund të transferohej në një ekip tjetër.
Si rezultat, asaj iu dhanë 244 mijë funte kompensim për humbjen e të ardhurave, së bashku me 20 mijë funte për ndjenjat e lënduara dhe 25 mijë funte për fyerje ndaj personalitetit.
