Një foto e papërshtatshme e një zyrtari të MASHTI-t ku tregon gishtin e mesëm i ulur në karrige, është publikuar në Facebook ditën e sotme në faqen e ministrisë Arsimit ku u njoftuan qytetarët për një ngjarje të caktuar.
Megjithatë, Besa Bytyqi, e cila është udhëheqëse e Divizionit për Komunikim Publik në MAShTI, ka kërkuar falje për këtë lëshim.
Ajo ka thënë se orari i gjatë e kushtet e punës mund të shkaktojnë ndonjë gabim si ai që ndodhi sot.
“Sot, gjatë publikimit në rrjetin social zyrtar të MAShTI në facebook të komunikatës për vënien e gurëthemelit të shkollës së re në Ponoshec, zyrtari gabimisht e ka publikuar edhe një foto që nuk ka pasur të bëjë me ngjarjen. Edhe pse, shumë shpejt ka reaguar dhe e ka larguar, kjo foto u bë lajm. Në emër të Divizionit për Komunikim Publik të MAShTI, i kërkoj falje medieve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës për këtë lëshim të paqëllimshëm. Jemi përpjekur që të jemi gjithmonë në nivel të detyrës, me staf të paktë në numër e me punë shumë dhe, siç e dinë të gjithë ata që punojnë në komunikim me publikun, pa orar dhe në kushte e rrethana jo gjithmonë të lehta, në mënyrë që ta sjellim sa më shpejt lajmin te JU! Prandaj, edhe mund të gabojmë dhe për këtë kërkojmë falje dhe mirëkuptimin tuaj!”, ka shkruar ajo.
“Do të vazhdojmë me përkushtim punën, në mënyrë që të jemi në shërbim të medieve e qytetarëve brenda përgjegjësive që kemi, për të garantuar transparencën e MAShTI-t në raport me publikun”, përfundoi ajo.
