Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka refuzuar propozimin e Bashkimit Evropian për zgjidhjen e çështjes së targave.
Borrell, në një deklaratë për media të hënën, ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka pranuar propozimin.
“Pas shumë orësh diskutimesh, dy palët nuk u morën vesh për një zgjidhje sot. Për hir të transparencës më duhet të them se ne kemi vendosur një propozim që ka mundur ta evitojë këtë situatë të rrezikshme për zgjidhjen e çështjes, të cilën presidenti Vuçiq e pranoi sot, por kryeministri Kurti e refuzoi”, tha Borrell, raporton Paparaci.
Borrell tha se i ka bërë dy kërkesa dy palëve.
“Tani pres që Kosova të suspendojë menjëherë fazat e tjera lidhur me riregjistrimin e veturave në veri të Kosovës”, tha ai.
Ndërkaq, Borrell ka thënë se i ka kërkuar Serbisë që të mos lëshojë me targa të veturave “KM”.
Ai tha se “do t’i informojë shtetet anëtare [të BE-së], partnerët, për sjelljen e palëve dhe mosrespektimin e detyrimit ligjor ndërkombëtar”.
“Kjo vlen veçanërisht për Kosovën”, tha kryediplomati evropian.
