“Nuk e prisja që një legjendë si Pixi të shante nënat tona shqiptare”.
Kështu ka deklaruar kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në një prononcim për mediumin serb “Danas”, teksa ka komentuar lidhur me ngjarjet e fundit që rrodhën në ndeshjen mes Zvicrës dhe Serbisë në Kupën e Botës, takim ky që përfundoi me rezultat 2:3 në favor të zviceranëve.
Në një moment është kapur nga kamerat edhe trajneri i Serbisë, Dragan Stojkoviq – Pixi, duke sharë shqiptarët – adresim ky për Xhakën dhe Shaqirin, të cilët ishin protagonistë në këtë sukses.
“Ai ishte një legjendë e futbollit të Jugosllavisë, ne bënim tifo për të derisa jetonim në një shtet të përbashkët, shijonim driblimin dhe aftësitë e tij, e shikonim drejtpërdrejt edhe në Ligën e Parë të atëhershme”, u shpreh Ademi.
“Shumë shqiptarë nga Kosova e donin atë si futbollist dhe habiten që ai u soll kështu edhe në një ndeshje që nuk ishte kundër Kosovës por ndaj Zvicrës. Gjëra të tilla nuk duhet të bëhen as nga tifozët në tribuna, e lëre më nga një pjesëmarrës në ndeshje”, ka shtuar tutje Ademi.
Në anën tjetër, FFK-ja ka paraqitur ankesë në FIFA për këto ngjarje, derisa u ankua edhe për flamurin me hartë të Kosovës në atë të Serbisë, që ishte vendosur në dhomat e zhveshjes së futbollistëve të shtetit fqinjë.
“FIFA dhe UEFA nuk e tolerojnë nacionalizmin dhe përhapjen e intolerancës kombëtare, por tashmë u takon atyre se çfarë lloj dënimi do të vendosin”, tha Ademi.
“Na befasoi në mënyrë të pakëndshme edhe flamuri në dhomën e zhveshjes. Kjo vërtetë nuk u shkon për shtat futbollistëve serbë. Këto çështje duhet t’ia lëmë politikës dhe politikanëve t’i zgjidhin”, shtoi ai.
“Sporti duhet t’i bashkojë njerëzit, jo të krijojë tensione kombëtare dhe të përhapë urrejtje. Futbollistët e Serbisë dhe Kosovës duhet të luajnë një ndeshje miqësore dhe të tregojnë se futbolli dhe sporti i bashkojnë njerëzit, jo i ndajnë”.
Mes tjerahs, Ademi i ka thënë mediumit serb se FFK dhe FFS kanë bashkëpunim të shkëlqyer në organizatat FIFA dhe UEFA.
“Si me ish-presidentin e FSS-së, Slaviš Kokez, ashtu edhe tani me Nenad Bjekoviqin, ne bashkëpunojmë shumë mirë në të gjitha organet e FIFA-s dhe UEFA-s”, theksoi Ademi.
“Ne gjithmonë kërkojmë falje kur shohim njëri-tjetrin dhe performojmë së bashku për problemet e ligave dhe futbollit në Ballkan. Kështu duhet të jetë. Vetëm se ky bashkëpunim duhet të shtrihet në të gjitha nivelet e tjera”.
“Politikanët duhet të gjejnë zgjidhje për tensionet ndëretnike, kjo është puna e tyre dhe ne nuk duhet të ndërhyjmë. Duhet të bashkëpunojmë dhe të dërgojmë mesazh paqeje si njerëz nga sporti”.
