Ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter ka zgjedhur të ngacmojë Granit Xhakën pas situatave të ndodhura me Serbinë dhe humbjen e pësuar ndaj Portugalisë në shifrat 6-1.
“Si në tenis: Kombëtarja e Zvicrës humbi 1:6 ndaj Portugalisë. Ku ishte Xhaka? Njeriu që pretendon të jetë lider dhe është më i zhurmshmi, por nuk pati asnjë ndikim në lojë në momentin më të rëndësishëm”, tha Blatter.
Zvicra bëri gjithçka keq, pësoi shumë gola dhe u eliminua nga Kupa e Botës pas humbjes 6-1 ndaj Portugalisë.
Kombëtarja luzitane do të sfidojë Marokun në çerekfinalet e Katar 2022, ndërkohë që Xherdan Shaqiri komplimentoi kundërshtarët për triumfin e thellë.
“Duhet të urojmë një skuadër të madhe si Portugalia. Në fazën me eliminim direkt, çdo gabim i vogël të ndëshkon”, deklaroi sulmuesi me origjinë shqiptare, i cili nuk e kurseu një thumbim ndaj trajnerit Murat Yakin.
“Është gjithmonë e vështirë të analizosh një ndeshje. Ndryshuam planet tona, por ky ndryshim nuk dha frytet që prisnim. Nuk u shprehëm në mënyrën tonë, edhe pse e dinim mirë se çfarë duhej bërë. Duhet të pranojmë zgjedhjet e trajnerit, edhe pse u habitëm disi… ”, deklaroi Xherdan Shaqiri.
Në fund një mesazh për tifozët helvetë për humbjen e thellë: “Nuk ishim vetvetja, në emër të skuadrës dua t’u kërkoj ndjesë të gjithë tifozëve zviceranë“.
