Orët e para të mëngjesit të së martës shënuan edhe një tjetër tragjedi, ku një autobus u aksidentua dhe më pas u dogj, duke lënë të vdekur 46 pasagjer, shumica prej të cilëve ishin shqiptar që kishin marrë rrugën e kthimit për në shtëpi.
Në mesin e 46 viktimave të kësaj tragjedie, 12 janë fëmijë. Kurse, viktima më i ri i këtij aksidenti është një 4-vjeçar. Nga ky aksident kanë mbijetuar 7 persona, që po trajtohen në spitalin e kryeqytetit bullgar, Sofje.


Por, kjo nuk është tragjedia e vetme e këtij viti, që la të vdekur njerëz, e tronditi shumë të tjerë. Madje në 20 e fundit janë shënuar tragjedi të shumta ku përfshihen autobusë me pasagjer shqiptar.
Aksidenti në Slavonski Brod të Kroacisë

Rreth katër muaj më parë, në mëngjesin e 25 korrikut, autobusi me mërgimtar që po vinin për në Kosovë, u aksidentua në Slavonski Brod të Kroacisë. Ku si pasojë e këtij aksidenti 10 persona kishin vdekur, kurse mbi 40 të tjerë ishin lënduar.
Aksidenti në Vjenë të Austrisë

Më 22 shkurt të vitit 2010 gjashtë persona nga Kosova vdiqën si pasojë një aksidenti që ndodhi me autobusin me të cilin po udhëtonin. Autobusi u aksidentua në afërsi të Vjenës, derisa po udhëtonte për në gjermani. Ky autobus u përplas me dy kamionë në një autostradë në afërsi. Nga ky aksident mbetën të lënduar mbi 30 persona, kurse në mesin e viktimave ishin edhe shoferët e autobusit.
15 maturantë vdesin në Shqipëri

Më 14 tetor 2004, në Fushë Arrëz të Shqipërisë, vdiqën 15 maturantë kur u aksidentua autobusi më të cilin maturantët po ktheheshin nga ekskursioni në Shqipëri. Autobusi po bartte 49 maturantë kur u rrokullis dhe ra në humnerë. Autoritet thanë se 34 maturantë të tjerë u lënduan, disa prej tyre rëndë. Të 15 maturantët u varrosën në qytezën e Malishevës, ndërkohë në Fushë Arrëz është vendosur një pllakë përkujtimore.
Dhjetë të vdekur në kufirin Kosovë-Mal i Zi

Dhjetë persona vdiqën, përfshirë edhe dy fëmijë, si dhe 31 të tjerë u lënduan më 25 korrik të vitit 2002 në kufirin Kosovë-Mal i Zi. Autobusi me 40 udhëtarë ishte duke udhëtuar nga Ulqini për në Kosovë kur doli nga rruga dhe ra poshtë një kodre. Aksidenti ndodhi në orën 05:00. Kjo ishte tragjedia më e madhe rrugore që nga mbarimi i luftës.
