Ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari i ka kërkuar Kuvendit të Kosovës që të shtyhet debati lidhur me shqyrtimin e propozimit për shpalljen e kompanisë “Kosmonte Foods” investitor strategjik.
Ajo, ka munguar në seancën e sotme plenare ku parashihej të shqyrtohej propozimi që ndërlidhet me shpalljen e “Kosmonte Foods”, investitor strategjik.
Hajdari, në një mesazh dërguar kryeparlamentarit Konjufca, i ka kërkuar atij që të shtyejë pikën e propozim-vendimit të qeverisë për dhënien e statusit si investitor strategjik për firmën “Kosmonte Foods” Sh.P.K..
“Ajo po më kërkon që kjo pikë me u tërheq në mënyrë që t’ia japë asaj mundësinë që të përballet me ju”, ka thënë Konjufca, duke transmetuar mesazhin e ministres Hajdari.
“Kosmonte Foods” është një kompani private me bazë në Fushë Kosovë. Ajo është në pronësi të sipërmarrësit Lulzim Begaj. Sipas të dhënave publike në ARBK, “Kosmonte Foods” Sh.P.K., merret me tregtinë e produkteve të qumështit, vezëve, vajrave dhe yndyrnave të gatimit.
Dhënien e statusit Investitor Strategjik për “Kosmonte Foods” Sh.P.K. e kanë kundërshtuar deputetët e opozitës.
Ata nuk janë shprehur kundër në parim për shpalljen e “Kosmonte Foods” investitor strategjik, por kanë kritikuar procedurat e ndjekura nga qeveria mbi propozim-vendimin.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se kompania me bazë në Fushë Kosovës ka pasur një kontest ligjor me Ministrinë e Bujqësisë. Por, sipas tij, qeveria është tërhequr nga një padi civile që kishte ushtruar ndaj “Kosmonte Foods” lidhur me uzurpimin e një prone shoqërore.
Tahiri, ka thënë se “kjo kompani nuk i plotëson kushtet” për shpallje si investitor strategjik investues.
Kritika për propozim-vendimin e qeverisë ka pasur edhe shefi i Grupit Palrmentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
“Sot ju dhanë dy goditje të mëdha investorëve potencialë strategjik të huaj dhe vendorë”, tha Besnik Tahiri.
