Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, deklaroi se ditëve në vijim Kosova do të aplikojë për statusin e vendit kandidat për anëtar të Bashkimit Evropian.
Ai në një intervistë për mediumin “Politico”, tha të dielën se Kosova është e gatshme për trajektore të re, derisa shtoi se Bashkimi Evropian “kurrë nuk do të jetë i plotë pa Ballkanin Perëndimor”.
Duke qenë se anëtarësimi është një proces afatgjatë, ne besojmë se deri atëherë do të jemi të gatshëm t’i zgjidhim të gjitha mosmarrëveshjet që i kanë penguar këto vende ta njohin Kosovën dhe pastaj ta bëjnë këtë çështje të panevojshme, deklaroi Bislimi.
Sipas zëvendëskryeministrit, dialogu me Serbinë është proces i rëndësishëm, i mbikëqyrur nga Brukseli. Për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, Bislimi tha se edhe një marrëveshje e pjesshme me Beogradin “do të ndihmonte në hapjen e rrugës për Kosovën për t’u afruar me BE-në”.
Por zëvendëskryeministri tha se ka një rrugë përpara pasi Brukseli së fundmi paraqiti një propozim të përditësuar.
